Liderët e koalicionit të partive politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje janë takuar të hënën për të shqyrtuar skenarët e mundshëm për thirrjen e vazhdimit të seancës së Kuvendit me pikën e njëjtë, pra zgjedhjen e kryetarit të legjislaturës së pestë të Kosovës.
Por, për dallim nga seanca e 18 shtatorit, kur deputetët e këtij koalicioni vetëm kishin votuar kundër zgjedhjes së kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për postin e kryetarit të Kuvendit, tani ky koalicion po pretendon se si shumicë parlamentare e ka të drejtën Kushtetuese që të propozojë kandidatin për kryetar.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se koalicioni është i shqetësuar me mënyrën se si është ndërprerë seanca e 18 shtatorit dhe me faktin që kjo seancë nuk është thirrur ende.
"Jemi të shqetësuar sepse nuk është mundësuar debat në seancë dhe ende nuk është thirrur vazhdimi i saj. Seanca ka mundur të thirret këtë javë. Humbja e kohës në këtë mënyrë dhe abuzimi nga ana e zonjës Brovina dhe zaptimi i institucioneve të vendit duhet ta ketë një kufi. Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me Vetëvendosjen këtë kufi do t’ia japin një ditë, por është detyrë e saj dhe e PDK-së që të mos abuzojnë më tutje me të drejtën që kanë", ka deklaruar Haradinaj.
Pretendimin për postin e kryetarit të Kuvendit, blloku i këtyre partive politike LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje e mbështet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku mes tjerash kërkohet që deputetët të gjejnë një zgjidhje kushtetuese për kryetarin e Kuvendit.
Ramush Haradinaj beson se mënyra më e mirë e gjetjes së zgjidhjes për kryekuvendarin është që të debatohet në Kuvend dhe të gjendet zgjidhja, përderisa e ka përjashtuar çdo mundësi që deputetët e koalicionit pas zgjedhor të votojnë për kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës në funksion të tejkalimit të krizës.
"Unë jam deputet i lirë, i zgjedhur nga vota e popullit. Vota ime është e lirë dhe nuk më detyron ta votoj kandidatin e PDK-së as edhe një gjykatë e kryesuar nga Enver Hasani. Edhe deputetët tjerë që kanë vullnetin e tyre të lirë nuk mund t’i obligojë as edhe një gjykatë e kryesuar nga Enver Hasani se si të votojnë", është shprehur Haradinaj.
Koalicioni pas-zgjedhor i ka bërë thirrje në fund kryesueses së Kuvendit, Flora Brovina, ta thërrasë sa më shpejt vazhdimin e seancës.
Kërkesa e tyre pason dështimin e PDK-së dhe kandidatit të saj që në seancën e 18 shtatorit të sigurojë mbështetjen për postin e kryetarit të Kuvendit.
Në të kundërtën, ky koalicion ka paralajmëruar se do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë, edhe pse nuk e ka sqaruar se për çfarë hapash bëhet fjalë, për zhbllokimin e krizës.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 8 qershor, mirëpo ende nuk është përmbyllur konstituimi i Kuvendit për faktin se deputetët dhe partitë politike nuk po arrijnë të zgjedhin kryetarin e këtij institucioni.