Negociata për votat e minoriteteve për kryetarin e Kuvendit

Karriga e zbrazët e kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Dy blloqet më të mëdha politike në Kosovë kanë dy ditë afat për të siguruar mbështetjen e deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë para vazhdimit të seancës konstituive të 18 shtatorit.

Kjo seancë që filloi nga data 17 korrik nuk është përmbyllur pasi që ende nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe pesë nënkryetarët.

Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës pritet që të propozojë e para kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Kandidatura e PDK-së është paralajmëruar të mbështetet nga deputetët Grupit 6 plus, nga radhët e komuniteteve jo serbe. Kurse Lista Serbe, që në Kuvend ka siguruar nëntë ulëse, ende nuk ka vendosur se nga cili bllok do të anojë.

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jablanoviq ka thënë se subjekti i tij do të vendos të mërkurën nëse do të mbështes Partinë Demokratike të Kosovës apo koalicionin e gjerë pas-zgjedhor.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Jablanoviq ka përsëritur rezervat e Listës Serbe në lidhje me marrëveshjen e parimeve që blloku LDK, AAK dhe Nisma ka nënshkruar me Lëvizjen Vetëvendosje.

"Sa i përket pjesës së marrëveshjes që LDK, AAK dhe Nisma kanë lidhur me Vetëvendosjen, Lista Serbe i ka disa rezerva, ngase nuk duam që në asnjë mënyrë t'i mundësojmë dikujt që të rishikoj marrëveshjen e Brukselit", ka deklaruar Jablanoviq.

Sipas tij, rreth kësaj çështje nuk ka hapësirë që të negociohet kur dihet se sa shumë kohë e mund është dashur që të arrihet marrëveshja.

Për dallim nga PDK-ja, për të cilën votat e komuniteteve pakicë mund të jenë mjaftë domethënëse, blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje pretendojnë se i kanë 63 vota, që përbëjnë numrat e mjaftueshëm në Kuvend për zgjedhjen e kryetarit.

Mirëpo, problem për koalicionin e gjerë mund të jenë sërish çështjet e procedurave kushtetuese, ngaqë Gjykata Kushtetuese ka favorizuar partinë fituese si grupin më të madh parlamentar për propozimin e kryetarit të Kuvendit.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të parimeve tashmë të akorduara me partitë partnere, për shkak të pozicionit refuzues të Listës Serbe.

"Unë nuk shoh as shenjën më të vogël të mundësisë që këto subjekte të ndërrojnë qëndrimin e as më pak që Vetëvendosje të ndërrojë qëndrimin mbi një marrëveshje tashmë të nënshkruar nga katër subjekte politike shqiptare", ka theksuar Molliqaj.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet koalicionit LDK, AAK dhe Nisma me Lëvizjen Vetëvendosje ku mes tjerash parashihej që kjo e fundi të merrte nën udhëheqje dialogun me Beogradin dhe ku parashihej që të rishikohej i gjithë procesi dhe marrëveshjet e arritura kishte shtyrë Listën Serbe që të kërkonte shtyrjen e seancës nga data 12 për në 18 shtator.

Analistët kanë paralajmëruar se pa një marrëveshje politike, seanca e 18 shtatorit mund të jetë një reprizë e seancës së ndërprerë të 17 korrikut.

Bazuar në këto paqartësi, që ndërlidhen jo vetëm me krizën institucionale por edhe kushtetuese, ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu ka paralajmëruar se Kosova shumë shpejtë mund të shkojë edhe në zgjedhje të reja.

Analistët politik kishin paralajmëruar se faktori ndërkombëtar nga roli pasiv që ka ndjekur deri më tash, pas seancës së 18 shtatorit, mund të merr një rol më aktiv nëse partitë politike nuk arrijnë të zgjidhin vet ngërçin e krijuar politik.