Sanksionet e reja kundër Rusisë - ndikim afatgjatë

Moskë...

Carl Schreck

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shpallur një valë të re të sanksioneve kundër Rusisë, lidhur me rolin e saj në zhvillimet në Ukrainë.

Analistët konsiderojnë se këto sanksione mund të kenë ndikim në periudhë afatgjate, e jo menjëherë.

Në këtë kuadër, ata konsiderojnë se nuk do të ndodhë një shok i menjëhershëm ekonomik, por mund të dëmtohet rëndë stabiliteti fiskal i Rusisë në periudhë afatgjatë, nëse eventualisht masat nuk tërhiqen.

Sanksionet kanë për synim ta ndëshkojnë Kremlinin për rolin e tij në krizën e Ukrainës, duke e kufizuar qasjen te kapitali dhe teknologjia perëndimore, për kompanitë madhore ruse në sektorët energjetikë, financiarë dhe të mbrojtjes.

Këto sanksione, me gjasë, do ta përshpejtojnë rrjedhjen e kapitalit jashtë Rusisë, dhe mund të çojnë në recesion, derisa çmimi i huas për bankat kryesore rritet e investimet në ekonominë e Rusisë zvogëlohen, thotë ekonomisti rus, Sergei Guriev, i cili vitin e kaluar ishte larguar nga Rusia për shkak të frikës se mund të ballafaqohej me ndjekje të motivuar politike.

“Nuk do ta shkatërrojnë sektorin energjetik të Rusisë, dhe në të ardhmen e afërt nuk do të kenë ndikim, me përjashtim të një disponimi më tepër pesimist të investitorëve, që do të ndikojë që ata t’i tërheqin të hollat e tyre”.

“Por, gjatë një periudhe prej dy-tre vjetësh, kjo do ta ulë prodhimin e naftës në Rusi dhe rrjedhimisht do ta dëmtojë rëndë aftësinë e Qeverisë së Rusisë për t’i realizuar premtimet e bëra nga presidenti Vladimir Putin, në vitin 2012, në kuptimin e rritjes së pensioneve, të rrogave e të tjera”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ekonomisti, Sergei Guriev.

Masat e shpallura nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, i ashpërsojnë kufizimet e huave financiare për bankat shtetërore ruse, që janë nën sanksione, prej 90 në 30 ditë.

Pos kësaj, sanksionet i janë shpallur edhe institucionit më të madh financiar në Rusi, Sberbank.

“Sberbank është institucion financiar shumë i shëndoshë dhe në gjendje të mirë, sikur edhe bankat e tjera, por ato do të vuajnë në kuptimin e çmimeve të aksioneve dhe, me gjasë, në çmimin e huazimit, që do të rritet, edhe nëse këto banka shkojnë në tregje të tjera, ku nuk janë të sanksionuara", thekson Guriev.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, të shpallura më 12 shtator, e ndalojnë eksportin e shërbimeve të caktuara dhe teknologjive për kompanitë energjetike kryesore të Rusisë dhe kjo masë paraqet kërcënim për ekonominë e gjerë ruse, pasi paralajmëron se zyrtarët amerikanë dhe evropianë, janë të përgatitur të ndërmarrin aksione të koordinuara, në shënjestër të të cilave është sektori kryesor energjetik i Rusisë, thotë Guriev.

Prodhimi i naftës në Rusi mund të zvogëlohet gradualisht, duke filluar prej vitit të ardhshëm, nëse nuk ka qasje në teknologjitë perëndimore, artikujt dhe shpërblimet, të cilat theksohen në sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, thotë Mikhail Korchemkin, shef i Analizave të Gazit të Evropës Lindore me seli në Pensilvani.

“Rusia mund të bëjë shpime shumë të mira në rezervat konvencionale të Siberisë Perëndimore dhe në pjesën evropiane të Rusisë. Por, në hapësirat më të sofistikuara, siç është Arktiku, ose në det të hapur, kjo është e pamundshme nëse kompanitë ruse punojnë vetëm”, thotë Korchemkin, për Radion Evropa e Lirë, dhe shton se “pa teknologjitë perëndimore, prodhimi i naftës në Rusi do të zvogëlohet dhe kjo është çështje e dhembshme për Rusinë, që varet financiarisht nga eksporti i naftës”.

Kufizimet e Bashkimit Evropian mund të paraqesin probleme për industrinë ruse të mbrojtjes, e cila varet nga importi i teknologjisë së sofistikuar nga prodhuesit evropianë për armatimet e veta, thotë Simon Saradzhyan, ekspert për Rusinë në Qendrën Belfer të Universitetit Harvard.

“Nëse këto sanksione mbahen, atëherë kutia ruse e veglave vjetërohet dhe ata duhet ta ndërrojnë atë. Por, askund nuk mund ta bëjë këtë, meqë Kina nuk i ka këto teknologji. Atëherë mbetet vetëm perëndimi”, thotë Simon Saradzhyan.

Një zyrtar i lartë në administratën e presidentit amerikan, Barack Obama, u ka thënë gazetarëve më 12 shtator, se masat do të kenë “efekt të thellë” dhe do ta pengojnë aftësinë e Rusisë për furnizimin e sërishëm me armë në krizën e Ukrainës. (f. bujupi)