Anketë: Shtyrja e seancës së Kuvendit, e dëmshme

Pamje nga Prishtina

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që ishte planifikuar të mbahej më 12 shtator, është shtyrë për të enjten e ardhshme, me datën 18 shtator, ka bërë të ditur të enjten kryesuesja e kësaj seance Flora Brovina.

Ky vendim, pasoi takimin që Brovina zhvilloi me partitë politike, ku morën pjesë vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe komunitetet pakicë.

Në këtë takim nuk morën pjesë edhe partitë e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia Nisma dhe Vetëvendosje.

Por, çka mendojnë qytetarët lidhur me shtyrjen e seancës konstituive?

Fehmi Syla, rreth të 60-ve, me profesion ekonomist, shprehet pesimist.

“Çka të presim prej këtyre njerëzve? S’ka asgjë... Është dashur t’i heqim shumë moti të gjithë këta njerëz. Nëse duam ne populli të shohim ditë më të mira, duhet ta ndërrojmë udhëheqësinë, përndryshe këta mendojnë veç për vete. Shtyrja e seancës po i bie që ne si popull jemi të okupuar, si prej serbëve, si prej shqiptarëve, nuk po mund të formohen institucionet për shkak të serbëve”.

“Shtyrja e seancës është shumë e dëmshme për funksionalizimin e institucioneve në Kosovë, sidomos kur dihet pse është shtyrë seanca. Është e dëmshme, sepse është bërë paralizë politike, dhe seanca duhet sa më shpejt të mbahet dhe të zgjidhet ky ngërç politik”, shprehet ai.

Edhe Mirlinda Kastrati juriste me profesion, e konsideron të dëmshme shtyrjen e seancës:

“Shtyrja e seancës është shumë e dëmshme pasi që është bërë paralizë politike. E më e dëmshme është kur dihet arsyeja e shtyrjes së seancës”.

Ramadan Hajredini, punëtor i fabrikës së tubave në Ferizaj, konsideron se sapo të formohet Qeveria e re, prioritet duhet pasur punësimin e të rinjve.

“Është dashur të formohen institucionet. Por, po më vjen çudi, a nuk ka Kosova njerëz më të dijshëm që mund ta çojnë vendin përpara?! Të bëjnë punësimin e të rinjve sa më shumë, se populli po heq keq. Nuk ka asgjë prej këtyre njerëzve. Unë i lus që ta zgjidhin problemin dhe të bëjnë diçka për të mirën e vendit, se nuk janë vetëm këta në Kosovë, por ka edhe njerëz të tjerë”, pohon Ramadani.

Edhe Remzi Morina, 54-vjeçar, punëtor, jep mendimin e tij lidhur me shtyrjen e seancës konstituive dhe ngërçin politik:

“Seanca nuk është dashur të shtyhet. Këta janë të vetëdijshëm për këtë, por mundohen për karriget e veta më shumë dhe nuk iu intereson populli. Ne jemi të mendimit që sa më shpejt të formohet Qeveria”.

Sidoqoftë, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, për herë të parë, komuniteti ndërkombëtar kryesisht ka qëndruar në rolin e spektatorit, duke pritur që liderët dhe partitë politike të gjejnë vetë zgjidhjen.

Tre muaj të shpenzuar pa institucione, shihen si një periudhë e gjatë, por e pranueshme për praktikat dhe demokracitë parlamentare.

Formimi i institucioneve të reja të Kosovës mbetet një çështje e brendshme dhe test i pjekurisë së subjekteve politike.