Gjatë një seance joformale pyetje-përgjigje me presidentin rus, Vladimir Putin, në kampin e të rinjve Seliger më 29 gusht, një vajzë ka shprehur shqetësim për “rritjen e nacionalizmit” në Kazakistan.
Ajo ka pyetur nëse “skenari i Ukrainës” është i mundshëm atje, po qe se presidenti veteran, Nursultan Nazarbaev, lë zyrën dhe cila është strategjia e Kremlinit për të trajtuar këtë eventualitet.
“Cilat janë shanset e integrimit ligjor të pjesës veriore të Kazakistanit me Rusinë”, ka pyetur ajo.
Putini ka theksuar rëndësinë e Kazakistanit si aleat dhe ka lavdëruar Nazarbaevin si lider të zgjuar dhe të përkushtuar për mirëqenien e vendit të tij.
Ai ka thënë se Nazarbaev është ndoshta presidenti më i aftë në mesin e të gjithë liderëve të vendeve ish-sovjetike.
Megjithatë, pjesë të përgjigjes së tij kanë lëshuar këmbanat e alarmit në vendin e Azisë Qendrore.
“Nazarbaev ka realizuar një gjë krejtësisht të veçantë. Ai ka krijuar një shtet në territorin ku kurrë nuk ka pasur shtet. Kazakët kurrë nuk kanë pasur shtetin e tyre. Ai e ka krijuar atë. Në këtë kuptim, në hapësirën ish-sovjetike, ai është person i veçantë”, ka thënë Putin.
Ai ka vazhduar me lëvdata për “idenë euroaziatike” dhe ka kërkuar nga kazakët që ta përqafojnë atë, duke thënë se do të kenë përfitime nga “të mbeturit në hapësirën e një bote më të madhe ruse”.
Ky ka qenë një moment veçanërisht i ndjeshëm, sepse Kazakistani është aleat i rëndësishëm i Rusisë dhe anëtar i Unionit Doganor, i cili udhëhiqet nga Rusia. Mbi 20 për qind e popullsisë së vendit është ruse dhe ata përbëjnë shumicën ose shumicën e rëndësishme në rajonet veriore të Kazakistanit.
Gazetarja amerikane, Miriam Elder, vëzhguese e ngjarjeve në Rusi, thotë se reagimi i Putinit dhe deklaratat e tjera që ka bërë rreth Urkainës reflektojnë disa argumente që ka përmendur laureati i Çmimit Nobel, Alexander Solzhenitsyn, në esenë e titulluar “Rindërtimi i Rusisë”, më 1990.
Edhe pse është i njohur për demaskimin e sistemit Gulag dhe qëndrimin anti-komunizëm, Solzhenitsyn ka mirëpritur ngritjen e Putinit në pushtet më 1999 dhe e ka lavdëruar atë për rikthimin e krenarisë kombëtare të Rusisë.
Në vitin 2007, Putini e ka vizituar atë në shtëpi për t’i dhënë çmimin shtetëror për punën humanitare.
Në esenë “Rindërtimi i Rusisë”, të publikuar në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik, Solzhenitsyn kritikon politikat e paorganizuara kufitare të Qeverisë sovjetike.
Ai mbështet “Bashkimin Rus” që do të përfshinte Ukrainën, Bjellorusinë, Rusinë dhe pjesët e banuara me rusë të Kazakistanit.
Solzhenitsyn ka besim te bashkimi i popujve bjellorus, ukrainas dhe rus, tri degë që kanë qenë historikisht të ndara nga “pushtimi mongol dhe kolonizimi polak”.
Ai i pranon vuajtjet e ukrainësve nën sovjetikët, por thotë se “nuk ka arsye për të ndarë Ukrainën, sidomos ato pjesë që nuk kanë qenë pjesë të Ukrainës së vjetër… Novorosia, Krimeja ose Donbasi, si dhe zonat në Detin Kaspik”.
Duke i bërë jehonë edhe retorikës së sotme ruse, Solzhenitsyn thotë se nëse Ukraina do të bëhet e pavarur, atëherë në këto rajone duhet të lejohet “vetëvendosja”.(v.tela)