Lenjani: Numër enorm i pacientëve në Emergjencë

Ilustrim

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, drejtori i Qendrës Emergjente, në QKUK, Basri Lenjani, thotë se numri i pacientëve që kërkojnë shërbime emergjente shëndetësore në këtë qendër, i tejkalon të gjitha standardet e parapara nga OBSH-ja.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Lenjani, a është i madh fluksi i pacientëve në Qendrën Emergjente, duke marrë parasysh që është qendër referente për gjithë Kosovën?

BASRI LENJANI: Qendra Klinike Universitare e Kosovës, gjegjësisht Qendra Emergjente, sidomos gjatë muajve të verës, kur njerëzit tanë që jetojnë jashtë vendit, vijnë në Kosovë, gjithsej mund të konstatojmë se kemi një rritje të numrit të madh të të sëmurëve dhe të lindurve që kërkojnë ndihmë në këtë qendër.

Në vitin 2013, Klinika Emergjente ka pasur mbi 20 mijë raste që kanë kërkuar ndihmë emergjente dhe krahasuar me vitin 2013, sivjet gjatë kësaj periudhe është rritur numri, dhe ndihmë mjekësore kanë kërkuar 25 mijë e 700 persona.

Ky numër është i madh për shërbimet emergjente mjekësore, duke i pasur parasysh normativat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që praktikisht shërbimet emergjente brenda 24 orësh duhet t’i kenë 60 raste, prej tyre 16 për qind të jenë të natyrës emergjente. Por, te ne çka ndodh?

Kemi 200 raste dhe prej tyre numri i rasteve të natyrës jo të rëndë që kërkojnë shërbime emergjente është mbi 80 për qind, derisa vetëm 20 për qind janë të natyrës së rëndë, pra raste emergjente.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa keni kapacitete t’i mbuloni gjitha rastet?

BASRI LENJANI: Klinika Emergjente, aktualisht, ka 507 metra katrorë dhe është minimumi i ofrimit të shërbimit emergjent mjekësor. Ne punojmë me kapacitete të zvogëluara hapësinore dhe pavarësisht kësaj, shërbimet emergjente duhet të posedojnë kapacitete të mjaftueshme hapësinore për ta ushtruar ndikimin e profesionit për të ofruar shërbime emergjente, qoftë në degët internistike, traumatologjike, kirurgjike, por edhe për mbështetje reanimimi.

Ne, si klinikë, nga viti 2007 kemi filluar një aktivitet për të ngritur kapacitete hapësinore në QKUK. Menaxhmenti aktual ka arritur ta hartojë projektin ideor të Qendrës Emergjente që ka kaluar gjitha procedurat dhe pritet që nga fillimi i shtatorit, të nisë ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Emergjente, me mbi 20 mijë metra katrorë, ku do të përfshihen të gjitha shërbimet emergjente mjekësore. Me këtë, për 50 vjetët e ardhshme Kosova do t’u ofronte të gjithë qytetarëve ndihmë emergjente të tipit profesional.

Krahas kësaj, edhe tash, me gjithë kapacitetet e zvogëluara, shërbimet emergjente janë në nivel të detyrës, ata janë të thirrur të ofrojnë kujdes emergjent, janë të motivuar dhe stafi aktual po bën të pamundurën për të shpëtuar jetë njerëzish.

RADIO EVROPA E LIRË

A është mbi normën e paraparë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë emergjente në nivel vendi?

BASRI LENJANI: Numri për shërbime emergjente shëndetësore i tejkalon të gjitha standardet e parapara me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Rastet që dërgohen në Qendrën Emergjente nga spitalet rajonale janë raste të papërpunuara mirë, dërgohen pa ndonjë kriter dhe nuk kemi ndëshkim të atyre që i dërgojnë në klinikën tonë.

Për mungesë të sistemit të referimit në QKUK, mbetet që në të ardhmen Ministria e Shëndetësisë të hartojë një udhëzim apo draft se cilat raste duhet referohen në QKUK. Ne nuk mund t’i mbulojmë gjitha rastet që vijnë për gjëra e elementare, që mund të stabilizohen në pjesën parësore dhe dytësore shëndetësore.

RADIO EVROPA E LIRË

Duke e marrë parasysh buxhetin e limituar të Ministrisë së Shëndetësisë, dedikuar barnave, sa jeni të furnizuar dhe a ndodh të ketë mungesë barnash nga lista esenciale?

BASRI LENJANI: Gjatë këtij viti kemi pasur batica dhe zbatica, derisa nga qershori, do të thotë këta dy muajt e fundit jemi të furnizuar mirë dhe kemi një stabilitet të furnizimit me material shpenzues dhe barna.

Qendra Emergjente është prioritet i QKUK-së, si dhe i Ministrisë së Shëndetësisë. Ata po bëjnë të pamundurën që shërbimet emergjente t’i kenë gjitha mjetet e domosdoshme për mbijetesën e të sëmurëve, të cilët kanë nevojë për shërbime emergjente. Unë dëshiroj që kjo qëndrueshmëri e materialit shpenzues dhe barnave, si dhe pajisjeve, të jetë afatgjate dhe jo të ketë batica dhe zbatica.

Para qershorit kemi pasur mungesa për shkak të procedurave dhe referimet që kur fitohen tenderët, duhet të kalojnë 60 deri në 70 ditë procedura administrative, e që e ndërlikojnë furnizimin në emergjencë. Por, këto procedura janë tejkaluar tashmë dhe, tani për tani, qëndrojmë mirë me furnizim.

RADIO EVROPA E LIRË

Cilat janë vështirësitë më të mëdha që ju ballafaqoheni?

BASRI LENJANI: Problemet aktuale që më së shumti na mundojnë, janë qëndrimi i gjatë i të sëmurëve të intubuar me rrezikshmëri të lartë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së vendeve në Kujdesin intensiv.

Kosova ka vetëm 14 vende për t’i trajtuar këta të sëmurë. Ata mund të qëndrojnë me ditë të tëra derisa të lirohet një vend në Kujdesin intensiv. Unë bëj thirrje që spitalet regjionale t’i plotësojnë kapacitetet e tyre, e që mendoj se i kanë të boshatisura, derisa të gjitha rastet i dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare.