Pasuritë nëntokësore - të pashfrytëzuara

Ilustrim

Kosova ka pasuri të mjaftueshme të cilat janë shfrytëzuar ose janë të zbuluara si vendburime të rëndësishme por edhe të pazbuluara plotësisht, të cilat do të ishin atraktive për investitorët e huaj, konkretisht do të ndikonin edhe në zhvillimin ekonomik, pohojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, sektori i industrisë minerale, metalike, vendburimet më rërë dhe zhavorr, industria e tekstilit, bujqësisë janë vetëm disa nga pasuritë natyre të Kosovës.

Zhvillimi i këtyre sektorëve dhe rivënia në shfrytëzim i këtyre resurseve do të rrisin industrinë përpunuese, do të rrisnin shkallën e punësimit dhe sigurimin e të ardhurave për ekonominë e Kosovës.

Halim Gjergjizi, doktor i shkencave agro - ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thotë se nëntoka e Kosovës është shumë e pasur dhe për këtë autoritetet kompetente duhet që të merren më shfrytëzimin e këtyre resurseve.

Si një ndër burimet kryesore ai përmend potencialin e linjitit dhe nevojën e hulumtimeve shtesë gjeologjike në basenet ekzistuese të linjitit.

Basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse janë: Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.

“Linjiti nuk është vetëm lëndë e parë djegëse, por mund të jetë edhe lënde e parë teknologjike. Prandaj në bazë të një teknologjie të avancuar mund të përfitohen produkte të ndryshme nga linjiti. Pra edhe mund të ngrihen kapacitete të ndryshme. Krahas linjitit, Kosova është e pasur me xehen e plumbit, zinkut dhe xehe tjera, që në të kaluarën janë ngritur shumë kapacitete përpunuese në Kosovë”, thekson Gjergjizi.

Edhe në Strategjinë minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2010- 2025, thuhet se Kosova ka një potencial të konsiderueshëm të mineraleve të dobishme me vendburime të nivelit Evropian, me rezerva të mëdha të qymyrit (linjitit) dhe të plumbit, zinkut dhe argjendit.

Qymyri është resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike.

Resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t'u shfrytëzuar.

Duke vlerësuar pasuritë nëntokësore që posedon Kosova dhe përfitimet nga shfrytëzimi i tyre, njohësi i kësaj fushe, Mustafa Hasani, përmend edhe resurse tjera ekzistuese.

Hasani, i cili ka qenë edhe udhëheqës i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, popullatën e re dhe sektorin e bujqësisë i konsideron si një ndër potencialet kryesore në vend.

“Është bujqësia është sektori i përpunimeve të formave elektronike për jashtë vendit, (është një pjesë e teknologjisë informative e quajtur Call Center ) që faktikisht puna kryhet në Kosovë, ndërkaq shërbimi bëhet për vendet e jashtme".

"Ne nuk duhet të eliminojnë shfrytëzimin e pasurive nëntokësore që ka Kosova, duhet të mendojmë në mënyrë serioze që të tërheqim investitorët potencial, pasi ky është potencial i pashfrytëzuar që ne duhet të orientojmë strategjinë tonë për të tërhequr investitorë që janë të interesuar në këtë drejtim”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Por, Gjergjizi pohon se autoritete kompetente nuk i kanë kushtuar rëndësi këtij sektori dhe nuk kanë informuar në mënyrë të duhur investitorët potencial për resurset që posedon Kosova.

“Është primare çka mund të bëjë një shtet që ti tërheq investitorët e huaj. Natyrisht ka edhe probleme dhe mundësi tjera që qeveria e Kosovës duhet ti kushtojë. Pra ta sigurojë një informim të duhur. Në Kosovë mungon një informim i duhur i mjaftueshëm profesional, rreth mundësive. Prandaj mund të bëhet shumë, që këto resurse të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik”, shprehet Gjergjizi.

Në Kosovë janë zbuluar gjithashtu edhe paraqitje dhe vendburime të nikelit, kromit, boksitit, bakrit,manganit, magnezit si dhe shumë minerale tjera, të cilat me një investim modest mund të rivlerësohen dhe ti përmbushin standardet e klasifikimit ndërkombëtar.