Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, u kanë bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor, që fuqishëm të lëvizin përpara me reforma të thella ekonomike dhe politike, me të cilat do të shtoheshin gjasët e tyre për pranim në BE.
Në takimin njëditësh në Berlin, që përfundoi mbrëmë, morën pjesë zyrtarët e lartë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës, dhe Sllovenia e Kroacia, që tashmë janë anëtare të BE-së.
Të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë samit “kanë perspektivë evropiane”, tha Angela Merkel, në konferencën e përbashkët për gazetarë, me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Zoti Rama tha se shpreson se kjo nuk është një marrëdhënie e njëanshme.
“Ajo që unë shpresoj se ne ishim në gjendje të bënim, është të tregojmë se kjo nuk është marrëdhënie e njëanshme, ku ne kërkojmë dhe BE-ja thotë: po ose jo, por ku ne sjellim shumë në tavolinë: kapital të madh njerëzor dhe potencial ekonomik në fushat si turizmi, energjia dhe infrastruktura. Ne e dimë se duhet të bëjmë më tepër në fushën e transportit dhe të lidhshmërisë dhe ne së bashku sigurisht duhet dhe do ta bëjmë këtë”, tha Edi Rama, në konferencën për gazetarë, pas përfundimit të samitit në Berlin.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se “qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: ne dëshirojmë t’i shohim vendet e Ballkanit Perëndimor përfundimisht të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”.