Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, janë takuar sot në Berlin me zyrtarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përpjekje të shtytjes së tyre përgjatë rrugës së reformave, që do t’i shtojnë gjasët e këtyre shteteve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“E ardhmja e shteteve të Ballkanit qëndron në BE”, tha ministri i ekonomisë së Gjermanisë, Sigmar Gabriel, në hapje të samitit, në të cilin marrin pjesë tetë liderë ballkanikë.
Por, zoti Gabriel tha se qeveritë e rajonit, po ashtu, duhet t’i çojnë përpara përpjekjet për reforma për ta përmirësuar sundimin e ligjit, infrastrukturën, e të tjera, në mënyrë që të kenë gjasë për pranim në BE, që aktualisht përbëhet nga 28 shtete.
Kjo do të ndihmonte në promovimin e besimit të investitorëve në Ballkan, tha Gabriel, i cili është edhe zëvendëskancelar i Gjermanisë.
Në takimin në Berlin kanë marrë pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës, dhe anëtarët e BE-së, Sllovenia dhe Kroacia.
Kjo është hera e dytë që kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, është takuar me liderët e Ballkanit gjatë muajve të fundit; takimi i parë i tillë ishte në muajin korrik në Dubrovnik.