Maqedoni: Sanksione ligjore për ata që përfshihen në luftëra të huaja

Pjesëtarë të Al-Nusras në Siri

Bashkësia Fetare e Maqedonisë, e ka përshendetur vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në bazë të cilit parashihen sanksione ndaj organizatorëve të grupeve dhe atyre që inkurajojnë dhe rekrutojnë njerëz të shkojnë dhe të luftojnë në konflikte jashtë shtetit.

“Në këtë drejtim, ne si BFI, jemi të mendimit se institucionet shtetërore janë vonuar shumë; megjithatë me vetë faktin se tani seriozisht mendohet për miratimin e një ligji, me të cilin do të shihen sanksione për ata të cilët përshihen në luftërat e huaja, mendojmë se kjo do të kontribuojë në vetëdjësimin e të rinjëve, të cilët ndoshta kanë pasur ndërmend që të përfshihen në luftëra të ngjashme”, thekson sekretari i përgjithsëm i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Afrim Tahiri.

Ai u ka bërë thirrje edhe një herë të rinjëve që "të mos bien pre e manipulimeve", sepse luftërat të cilat zhvillohen në Lindjen e Mesme, janë, siç thotë, "luftëra vëlla-vrasësë dhe nuk kanë të bëjnë me moralin që njeh Xhihadi".

BFI së fundmi ka shtuar dhe apelet e saja drejtuar popullatës muslimane në Maqedoni, në veçanti të rinjve që të kenë "shumë kujdes në kuptimin e përfshirjes së tyre në luftëra të huaja, pavarësisht se në cilat vende zhvillohen ato”, thotë zoti Tahiri.

Ndërkohë, ministrja e brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka bërë të ditur se në Kodin Penal do të inkorporohet edhe ndëshkimi për ata që marrin pjesë personalisht në luftëra të huaja.


"Personalisht mendoj se ka vend për forcimin e mëtejshëm të rregullores, d.m.th përcaktimin e një vepre të re penale apo zgjerimin e asaj aktuale, ku do të parashikohen dënime për personat ndaj të cilëve do të vërtetohet pjesëmarrja në akte dhe veprime të tilla”, është shprehur për mediat vendore zonja Jankullovska.

Ekspertë për çështje sigurie theksojnë se qyetarët nga Maqedonia, të cilët përfshihen në luftimet në Siri dhe Irak, me kthimin e tyre ne vendlindje paraqesin rezik jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin më të gjërë.

“Personat e këtillë, me një edukim të këtillë fetar, të aftësuar edhe me shkathësi luftarake, në një moment të caktuar absolutisht mund të shfrytëzohen nga qarqe, të cilat i kanë rekrutuar, nëse paraqitet nevoja për të reaguar në vëndet evropiane dhe ata do të jenë në radhë të parë të luftimeve” , shprehet Vlladimir Pivovarov, ligjërues në Fakultetin e Sigurisë në Universitetit FON të Shkupit.

“Këta persona, kur të kthehen në Maqedoni, paraqesin forcë serioze dhe mund të destabilizojnë vendin", thekson Pivovarov.

Ndryshe, deri më tani, në opinion janë publikuar emrat e 4 shtetasve nga Maqedonia të vrarë në Siri. Dikasteri i policisë ka theksuar se nuk ka të dhëna zyrtare se sa qytetarë nga Maqedonia marrin pjesë ose kanë qenë luftëtarë në në Lindjen e Mesme.

Në këtë drejtim, Afrim Tahiri, konsideron se këta të rinjë "keqpërdoren nga grupe të caktuara, përkatësisht njerëz të caktuar, përmes formave të ndryshme të komunikimit, përmes rrjeteve sociale" .

“Gjithsesi, nëse institucionet shtetërore, gjegjësisht ministria e punëve të brendshme si dhe ajo e punëve të jashtme në Maqedoni nuk kanë informacione, BFI nuk mund të disponojë me të dhëna të tilla, për arsye se shkuarja e këtyre të rinjëve nuk organizohet nga BFI dhe as nga njerëz të institucionit që përfaqësojnë, si xhamitë e shumta të Republikës së Maqedonisë”, nënvizon sekretari i përgjithshëm i BFI-së në Maqedoni, Afrim Tahiri.