Ulje drastike e kamatave për kursime

Ilustrim

Siç duket bankat komerciale që operojnë në Kosovë nuk qëndrojnë keq në aspektin financiare, pasi nuk kanë shumë nevojë për depozita. Kjo vërehet te dallimi rreth 10 për qind që ekziston në mes kamatave të kredisë dhe kursimeve.

Sipas raportit të fundit, për muajin qershor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për të marrë kredi në banka klienti duhet të paguajë kamatën për kredi mbi 11 për qind, por nëse qytetarët vendosin që mjetet e tyre t’i bartin në llogaritë e kursimeve, atëherë normat e interesit për depozita arrijnë vetëm 0. 6 për qind, për ekonomitë familjare 0.5 për qind, kurse për ndërmarrjet vetëm 0.3 për qind.

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se dallimi i kamatave në kredi dhe kursime është shumë i lartë dhe njëherësh diskriminon dhe destimulon klientët për të deponuar paratë e tyre në institucionet financiare.

Mejdi Bektashi, ekspert i kësaj fushe, thotë se nëse krahasohen normat e interesit për depozita me vitet e kaluara, në këtë vit ka pasur rënie drastike. Megjithatë, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, Bektashi thotë se ulja e interesit për kursime gjithsesi duhet të reflektohet me uljen e kamatave për kredi.

“Momentalisht, kemi tepricë të madhe të mjeteve që kanë bankat komerciale dhe sipas strategjisë që kanë dhe duhet të zbatojnë për të mbajtur fitimin në nivel të njëjtë, ato duhet të ulin normat e tyre të interesit për kredi. Normalisht se kemi një ulje dhe unë besoj se në pjesën e tretë apo të katërt të këtij viti, normat e interesit do të ulen në shifrën një shifrore, do të thotë patjetër duhet të sillen nën 10 për qind”, thotë Bektashi.

Ndryshe, sipas Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, normat efektive të interesit në depozita më të lartat kanë qenë në vitin 2008, me 4.4 për qind. Pastaj, për çdo vit kanë shënuar rënie duke shkuar në 3.7 në vitin 2012, 3.4 në vitin 2013.

Ndërkaq, në muajin mars të këtij viti, normat për kursime kanë qenë 1.7 për qind duke u përgjysmuar në muajin qershor në 0.6 për qind.

Edhe eksperti tjetër për çështje bankare, Milazim Abazi, pohon se ulja drastike e normave të interesit po ndikon për shkak të mungesës së konkurrencës në sistemin financiar. Ai, madje, thekson se mosdeponimi i mjeteve në bankat komerciale ndikon në negativisht në buxhetin e shtetit dhe zhvillon ekonominë joligjore.

“Po ashtu, i nënshtrohen edhe rreziqeve. Ne të gjithë e dimë sa shumë kemi ‘vuajtur’ që qytetarët tanë t’i bindim që paratë e tyre t’i mbajnë në bankat komerciale. Me këto veprime bankat po destimulojnë qytetarët që t’i mbajnë paratë në banka. Po ashtu, interesat në kredi kanë mbetur të larta, edhe pse interesat në depozita kanë shënuar rënie. Sikur të uleshin normat e kredisë, në një formë do të mund të arsyetohet rënia e normave të kursimeve”, thekson Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Ai konsideron se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës duhet të ndërhyjë në përmirësimin e tregut financiar.

“Këtu shihet roli i zbehtë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës(BQK) . BQK-ja si një Ent rregullator absolutisht nuk është kah merret me rregullimin e tregut, që në një formë e obligon ligji. BQK-ja është i vetmi autoritet në Kosovë që rregullon tregun bankar”.

“Por, në një formë është duke mbrojtur interesat e bankave ekzistuese, prandaj bankat janë duke treguar fitime marramendëse në kohën e një krize ekonomike”, shprehet Abazi.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave, kamatat e kredive dhe depozitat bankat i përcaktojnë në bazë të politikave të tyre.

Sidoqoftë, pavarësisht diferencës së kamatave, vlera e kursimeve të klientëve në 10 bankat komerciale, në qershor të këtij viti ka arritur në mbi 2. 4 miliardë euro.