Radikalizmi islam s'është kërcënimi i vetëm për Kosovën

Fotografi ilustruese

Institucionet e Kosovës nuk i kanë studiuar mirë të gjitha çështjet që mund të konsiderohen si kërcënim për sigurinë e saj, vlerësojnë analistët në Prishtinë.

Sipas tyre, edhe arrestimet e fundit të personave të dyshuar për përfshirje në luftë në Siri e Irak, sado që ishte një operacion i rëndësishëm, ishte përcjellë me garë për marrjen e meritave.

Analisti Halil Matoshi thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja në rastin e këtë rast nuk është studiuar mirë, ngase fenomeni i ekstremizmave fetarë, ndër të cilët është edhe ai islam, nuk po e kërcënon vetëm Kosovën, por ka karakter global.

"Është një nga sfidat për sigurinë që nuk mund të anashkalohet. Mirëpo nuk është sfida numër një dhe nuk është e përmasave të ekzagjeruara siç po e paraqesin Policia e Kosovës, përkatësisht organet e zbatimit të ligjit, por, edhe politika pasi që edhe vet kryeministri ishte deklaruar se ka qenë ai që i kishte autorizuar bastisjet dhe arrestimet e këtyre 40 e sa vetave të dyshuar për lidhje me organizatat terroriste", ka vlerësuar Matoshi.

Veprimet e organeve të rendit dhe ndjekjes penale, përfshirë edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetëror për luftën ndaj ekstremizmit fetar islam, sipas Halil Matoshit mund të prodhojnë efekte negative, duke i vënë më pas besimtarët islam në pozitën e të diskriminuarve.

Ndërkaq, vlerësuar nga aspekti i sigurisë në vend, Matoshi thotë se gjendja në Mitrovicë me barrikadat të cilat po marrin formën e parqeve dhe integrimi i strukturave që deri vonë ishin konsideruar si paralele e paramilitare, mund të jetë një sfidë edhe më e rrezikshme sesa vetë lufta kundër radikalizmit dhe ekstremizmit fetar islam.

"Problemi i sigurisë së Kosovës është shumë më i madh në aspektin e raporteve me Serbinë, përkatësisht në raport me integrimin e serbëve kosovarë në veri të Kosovës".

"Për arsye se ne shumë me lehtësi të padurueshme po i paragjykojmë këta të rinj si muxhahedin e terroristë, ndërkaq po detyrohemi t'i integrojmë në sistem, kryesisht në policinë e Kosovës rreth 200 pjesëtarë të 'rojave të urës' të cilët praktikisht janë paramilitarë serbë", ka thënë Matoshi.

Nga aspekti i trajtimit institucional, Kosova ka edhe Këshillin e Sigurisë, por i cili nuk është mbledhur muajt e fundit, madje as pas valës së arrestimeve të personave të dyshuar për përfshirje në terrorizëm.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja thotë se ky Këshill, i cili drejtohet nga kryeministri i Kosovës dhe në vete ka akterët kryesor nga fusha e sigurisë, është dashur të mblidhet, të analizojë gjendjen dhe të japë rekomandime të duhura të veprimit.

"Këshilli i Sigurisë është dashur të mblidhet, në këtë rast ta trajtojë këtë çështje dhe t’i japë konkluzionet. Arsyeja pse është i nevojshëm ky Këshill të mblidhet në këso raste është se i merr në mënyrë gjithëpërfshirëse mendimet e të gjithë akterëve në institucionet e Kosovës. Në këtë rast marrja e mendimeve të të gjitha institucioneve është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Qehaja.

Operacionet e fundit të organeve të rendit kanë sjellë si rezultat mbi 40 persona të arrestuar nën dyshimet se ishin përfshirë në lufta fetare në Siri e Irak, duke u vënë në krah të organizatave të shpallura terroriste si ISIS e Al Nusra.

Numri i saktë i shqiptarëve të Kosovës të përfshirë në luftimet në Irak dhe në Siri nuk dihet, ndonëse autoritetet thonë se kanë informacione për dhjetëra syresh. Deri më tash besohet se 16 prej tyre kanë humbur jetën.