Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë ndërkombëtare kundër virusit Ebola, Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës ka ngritur shkallën e gatishmërisë në rast të shfaqjes së rasteve të kësaj sëmundje me fatalitet të lartë.
Zyrtarë në këtë institut kanë thënë se kujdesi në parandalimin e sëmundjes është shtuar dhe se nuk ka nevojë për panik duke e ditur se virusi nuk po përhapet përmes ajrit, por me kontakt direkt me lëngjet e trupit të personit të infektuar apo të kafshës së infektuar.
Virusi vdekjeprurës Ebola, nuk paraqet ende rrezik për Kosovën, thotë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadani.
“Shumë pak udhëtarë mund të jenë të involvuar në shtete endemike të Afrikës, aty ku e ka burimin virusi Ebola. Por, ne, si Institut, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në aeroporte dhe institucione shëndetësore i kemi marrë masat që të intensifikohen rastet dhe të trajtohen në aspektin shëndetësor në qoftë se ka ndonjë qytetar të infektuar. Por, ne rekomandojnë që deri sa të kalojë epidemia, të mos udhëtojnë në ato vende”, thotë Ramadani.
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se Kosova tash për tash ka një përgatitje të mirë për ballafaqim me virusin Ebola në raste të paraqitjes së ndonjë pacienti të infektuar.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, se ata tashmë janë të ëprgatitur për t’u përballur me situatën në rast nevoje.
“Ajo që tash për tash mund të thuhet është se Kosova ka një përgatitje të mirë për ballafaqim me sëmundje ngjitëse, pasi që kemi pasur përvoja për menaxhimin e situatave, si me gripin e derrit, apo ethet hemorragjike, me të cilën ballafaqohemi çdo vit”, deklaron Hoti.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publike në Kosovë, posedon laboratorë që brenda ditës mund të diagnostikojë llojet e viruseve, e po ashtu mund të bëhen edhe trajtimet profesionale të rasteve eventuale të prekura.
“Sa i përket trajtimit, mundësitë janë të bollshme dhe të mjaftueshme në shërbimin spitalor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, tregon ai.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i të vdekurve nga virusi Ebola në Afrikën Perëndimore, ka kaluar mbi një mijë.
Virusi vdekjeprurës Ebola, shkakton një temperaturë të lartë, të vjella, dhe gjakderdhje.
Tashmë, OBSH-ja ka autorizuar përdorimin e një ilaçi eksperimental për të luftuar virusin vdekjeprurës të Ebolas që deri më tash ka vrarë mbi 1000 persona.
Deri më tash nuk është zbuluar ndonjë kurë për Ebolan, dhe për këtë arsye shumica e njerëzve që infektohen, vdesin.