Ishujt Solomon janë bërë shteti i 108-të që e kanë njohur Kosovën, njofton ministri i jashtëm në largim i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Kryediplomati kosovar ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”: “Lajmi fundit: Një tjetër lajm i mirë për Kosovën. Ishujt Solomon sapo e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke u bërë vendi i 108 që e marrin këtë vendim. Urime qytetarëve të Kosovës”.
Ndërkaq pak minuta më vonë, Hoxhaj e ka postuar edhe një fotografi të përbashkët me ministrin e jashtëm të Ishujve Solomon, Clay Forau.
“Falendërim të posaqëm ministrit të Jashtëm të Ishujve Solomon, Clay Forau për këtë vendim të rëndësishëm për njohjen e Kosovës”, është legjenda që e përcjell fotografinë në fjalë.
Ishujt Solomon janë një grumbull ishujsh në Oqeani, shtet fqinj me Vanuatun dhe Guinenë e Re.
Shteti ka hapësirë prej 28 400 km. Katrorë, ndërsa në të jetojnë mbi gjysëm milioni banorë.