Shqipëri: Prokuroria zbardh skemën e grabitjes

Ilustrim - ©Shutterstock

Prokuroria në Tiranë publikoi pistat kryesore të hetimit për zbardhjen e vjedhjes së 713 milionë lekëve në degën e Thesarit të Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu po hetohet për të zbuluar mekanizmin e plotë të vjedhjes së kryer nga 45-vjeçari Ardian Bitraj dhe përfshirja në këtë skemë e personave të tjerë.

Hetuesit po kërkojnë edhe destinacionin e parave të vjedhura. Jo vetëm personat e arrestuar, por edhe të afërmit e tyre janë objekt i hetimeve, siç mësohet nga burime të Prokurorisë.

Dyshohet se Ardian Bitraj, shumën e vjedhur të parave e ka investuar në pasuri të paluajtshme në emër të të afërmve të tij.

Pritet që në Prokurori të dëshmojnë edhe drejtuesit më të lartë të Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, pas mbledhjeve të zhvilluara gjatë javës, ka deklaruar se depozitat e qytetarëve janë të pacenuara dhe se puna në institucion vazhdon normalisht.

Nga hetimet e deritanishme, tetë persona janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, njëri prej tyre edhe për moskallëzim krimi.

Në mesin e tyre është edhe ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku.

Ardian Bitraj akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe Mimoza Bruzia akuzohet për moskallëzim krimi.

Prokuroria njoftoi se hetimi për këtë ngjarje ka nisur pas kallëzimit të bërë vetë nga Banka e Shqipërisë.

Ndërkohë, shoqëria civile nisi mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve, peticion me të cilin do t’i kërkohet Kuvendit seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Reagimi politik rreth vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, është mbështetës për Prokurorinë.

Si Qeveria, ashtu edhe opozita, kanë deklaruar se presin përfundimet e hetimit, dhe garantojnë se do të mbështesin vendosjen e cilitdo përgjegjës, përpara drejtësisë.

Ndërkaq, personat e arrestuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë janë:

-Ardian Bitra (1969), me detyrë përgjegjës i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal;

- Mimoza Bruzia (1972), me detyrë specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë,e dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit” parashikuar nga neni 248 dhe 300 i Kodit Penal;

- Dorian Çollaku (1977), me detyrë drejtor i Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

- Bashkim Xhilaga (1951), me detyrë kontrollor mbikëqyrës në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

- Petrit Ramohitaj (1954), përgjegjës i arkës për veprim, në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

- Lavdim Cani (1967), me detyrë specialist i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

- Myzejene Belba (1967), me detyrë specialiste e arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, e dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kdoit Penal;

- Liljana Tusha (1968), me detyrë specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë e dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

- Dhimitër Davidhi (1957), vëzhgues operator në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

- Klevis Bejtaj (1987) i dyshuar se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.