Pas aksidentit që ka ndodhur muajin qershor në termocentralin “Kosova A”, janë ngritur diskutime dhe dilema të shumta se a do të ketë energji të mjaftueshme gjatë sezonit të dimrit.
Kompania që ka për obligim furnizimin më energji elektrike e quan situatën mjaft serioze dhe komplekse, pasi mungesa më e madhe e prodhimit pritet të ndodh në muajit e ardhshëm, konkretisht në sezonin e dimrit.
Siç duket, Termocentrali “Kosova A”, edhe pse i vjetruar, do të vazhdojë të mbajë barrën kryesore për furnizim të qytetarëve me energji elektrike.
Disa rajone të Kosovës edhe tash po ballafaqohen më mungesë të energjisë elektrike, ndërkaq Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), po kërkon zgjidhje për import të shtuar dhe të jashtëzakonshëm.
Por, Korporata Energjetike e Kosovës, e cila është e obliguar të realizojë prodhimin, nëpërmes një komunikate për media ka njoftuar se ka arritur te përfundojë veprimet përgatitore për eliminimin e pasojave të aksidentit të qershorit drejt stabilizimit të prodhimit para sezonit te dimrit .
Deri më tani, në prodhim është vetëm njësia e A3 e Termocentralit “Kosova A” . Kurse për dy njësitë tjera aktive, (A4 dhe A5) është finalizuar me sukses dhënia e kontratës për riparimin kapital te tyre.
Konform kësaj kontrate, brenda afatit prej 4 muajsh të gjitha njësitë e “Kosovës A” do të jenë të gatshme për prodhim optimal dhe te qëndrueshëm.
“Kjo paraqet zgjedhjen më të shpejt dhe më të lirë të mundshme për dalje nga kriza e paralajmëruar energjetike” thuhet në një komunikatë për media të kësaj korporate
Në anën tjetër, ekspertët për çështje energjetike, të gjitha këto nuk i konsiderojnë tejkalim të krizës me energji elektrike.
Gazmend Begolli, ekspert i energjisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk do të ketë përmirësim të furnizimit më energji, me riparime të njësive të Termocentralit “Kosova A”.
Ky termocentral, vlerëson Begolli, komplet duhet të rivitalizohet.
“Zgjidhja më e mirë, më e shpejtë, më e lira, më e sigurta dhe më ekologjike është rivitalizimi i blloqeve të Termocentralit ‘Kosova A’. Nuk duhet të punohet më riparime, remonte kapitale, ato blloqe duhet të ndalen dhe të rivitalizohen, jo të ndalen, e të mbyllen, e të shkatërrohen”, tha Begolli.
Kurse përfaqësues të shoqërisë civile thonë se kriza energjetike nuk është si pasojë e mosprodhimit të mjaftueshëm të sasisë se energjisë elektrike, por për shkak të telasheve në rrjetin e distribucionit dhe sistemin energjetik në përgjithësi.
Por, për këtë nuk duhet të ndëshkohen qytetarët e Kosovës, thotë Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, konsorcium ky që merret me çështjet energjetike.
“Dhe për këtë nuk do të duhej të penalizohen qytetarët e Kosovës, mirëpo këtë krizë energjetike të shkaktuar nga KEK- u, KEDS-i së bashku më qeverinë e Kosovës duhet të marrë përsipër qeveria dhe në asnjë mënyrë qytetarët e vendit”, tha Azemi për Radion Evropa e Lirë .
Sidoqoftë, zyrtarë qeveritar tashmë kanë deklaruar se prioritet është siguria e furnizimit me energji elektrike për periudhën e ardhshme respektivisht për muajit e dimrit.