Projektet kapitale, peng i politikës

Brezovicë...

Moskonstituimi i Kuvendit dhe krijimi i Qeverisë së re të Kosovës, po ndikon në zvarritjen për realizimin e disa projekteve kapitale që kanë qenë në proces, e që vazhdimisht janë konsideruar si projekte madhore.

Fjala është koncesionimin e qendrës turistike “Brezovica” dhe shpallja e kompanisë fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Ky termocentral, i cili që një dekadë të tërë është përcjellë më zvarritje, probleme dhe largim nga gara të ofertuesve ndërkombëtarë.

Për nëntë muaj është shtyrë edhe afati për hartimin e planit për ri-organizimin e kombinatit "Trepça".

Ekspertët për çështje ekonomike theksojnë se situata e krijuar pas zgjedhjeve të qershorit ka lënë peng projektet strategjike dhe njëherësh po dëmton imazhin e Kosovës para investitorëve të huaj.

Lekë Musa, ish drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, konsideron se shtyrjet e projekteve që kanë qenë në proces, krijojnë përshtypje për një jostabilitet politik në vend, i cili nuk është në gjendje të trajtojë më seriozitet projektet kapitale

Kjo joqëndrueshmëri politike, do të ketë efekte negative edhe në periudhën afatgjate, thotë Musa, duke shtuar se investitorët e huaj nuk mund të presin në pakufi.

“Ka shumë projekte konkurruese dhe gjithë ne e dimë se koha është para dhe natyrisht humbja në kohë i kushton edhe investitorëve. Kështu që mendoj se klasa politike në përgjithësi nuk është duke e kuptuar seriozisht këtë krizë dhe këtë lloj konkurrence në të cilën gjendet Kosova. Kosova nuk është duke e marrë shumë seriozisht zhvillimin ekonomik në vend", thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në muajin qershor ishte planifikuar të zgjidhet kompania fituese, për koncesionimin e qendrës turistike “Brezovica”, kurse në muajin shtator të shpallet kompania fituese.

Por, situata para dhe pas zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re, ka shtyrë koncesionimin e këtij kompleksi, ka thënë në një prononcim të mëhershëm për Radion Evropa e Lirë, ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.

Projekti tjetër që ka pësuar shtyrje, është edhe projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ku nga mesi i këtij viti është pritur të zgjidhet kompania fituese.

Por, Komiteti Drejtues i këtij projekti ka thënë se shtyrja është bërë më kërkesë të investitorëve, për shtyrjen e afatit të dorëzimit të ofertave.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë hap të duhur pezullimin e projekteve strategjike.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj, për Radion Evropa e Lirë, shprehet se qeveria në largim nuk duhet të marrë vendime strategjike dhe t’i lë obligim qeverisë së re, pasi nuk dihen prioritetet të qeverisë së ardhshme.

“Nuk është se qeveria në largim nuk ka marrë vendime strategjike, siç është çështja e ndërtimit të autostradës dhe vendime tjera që janë më pak të rëndësishme në aspektin ekonomik".

"Mirëpo vendimet siç është koncesionimi i 'Brezovicës', fillimi i ndërtimit të termocentralit 'Kosova e Re' janë vendime të cilat një qeveri në largim nuk mund t'i marrë dhe nuk duhet t'i marrë, për shkak se lënë obligime te qeveria pasuese për vendimet e kësaj qeverie”, thekson Zogaj.

Ndryshe, një nga projektet që qeveria në largim ka marrë vendim është ndërtimi i autostradës Prishinë - Hani i Elezit, punimet e së cilës kanë filluar muajin e kaluar.