SHBA i bashkohet BE-së me sanksione të reja kundër Rusisë

Ilustrim ©Shutterstock

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, të martën vonë i ka shtuar sanksionet kundër Rusisë për shkak të mbështetjes së saj për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se kjo është ditë “e përkujtimit se Shtetet e Bashkuara e realizojnë atë që e thonë dhe ne do të bashkohemi me komunitetin ndërkombëtar për të qëndruar për liritë dhe të drejtat e popullit në mbarë botën”.

Presidenti amerikan tha se nuk është dashur të ndodhë kjo, por kjo ishte zgjedhje e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nuk është dashur të arrinim te kjo. Nuk është dashur të bëhet në këtë mënyrë. Kjo është zgjedhje që Rusia dhe presidenti Putin, në veçanti, e kanë bërë”, tha Barack Obama, dhe ka shtuar se veprimi i orkestruar me evropianët do të mundësoj “kafshim edhe më të madh”.

Megjithatë, përkundër përshkallëzimit të sanksioneve, Obama e ka hedhur poshtë pohimin se situata ka arritur në nivelin e “Luftës së Ftohtë” të re.

“Sa më parë që Rusia ta kuptoj se gjasët më të mira për ata, për të pasur ndikim brenda Ukrainës, është duke pasur fqinjësi të mirë dhe duke mbajtur tregti, e jo përpjekje për diktat se çka duhet të synoj populli i Ukrainës, duke e shndërruar në shtet vasal të Rusisë".

"Pra, sa më shpejtë që presidenti Putin dhe Rusia ta kuptojnë këtë, atëherë më shpejt ne mund ta zgjidhim këtë krizë, në mënyrë që nuk rezulton me humbje tragjike të jetëve, që po shohim në pjesën lindore të Ukrainës”, tha Barack Obama.

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara i ka shtuar tri banka në listën sektoriale të sanksioneve, ndërsa, është sanksionuar edhe një kompani e ndërtimit të anijeve në përgjigje të aksioneve të Rusisë në Ukrainë.

Në listën e kompanive janë shtuar Banka e Moskës, Banka Ruse e Agrikulturës dhe VTV Banka. Tash personat dhe firmat nga Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëjnë financime për më tepër se 90 ditë, ose investime të kapitalit të ri në këto kompani.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se Uashingtoni i ka sanksionuar pesë prej gjashtë bankave më të mëdha, që janë pronë e shtetit, e të cilat llogariten se përbëjnë 30% të sektorit bankar të Rusisë.

Megjithatë, individëve nga Shtetet e Bashkuara nuk u ndalohet bërja e biznesit me këto banka.

Klientët e bankave do të lejohen që të bëjnë transaksione në dollarë, ndërsa kartelat debituese dhe kredituese nuk janë subjekt i sanksioneve.

Korporata e Bashkuar e Ndërtimit të Anijeve e Shën Petersburgut, që është 100% pronë e shtetit dhe ishte krijuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, është shtuar në listën e entiteteve me të cilat individëve amerikanë nuk u lejohet të bëjnë çfarëdo biznesi.

Departamenti amerikan i tregtisë, po ashtu, ka shpallur se do të imponoj kufizime të licencave të import-eksportit për teknologjitë e reja për ujëra të thella ose shpime në Arktik në Rusi.

Në sanksione janë përfshirë shumë institucione amerikane: Departamenti i agrikulturës i ka suspenduar të gjitha kreditë bilaterale dhe financat për Rusinë, Korporata Private e Investimeve Tejoqeanike i ka pezulluar shqyrtimet për çfarëdo investimi të ri ose të sigurimeve nga Rusia, ndërsa Banka Eksport-Import i ka suspenduar çfarëdo transaksione të reja për eksport të Shteteve të Bashkuara në Rusi.

“Këto janë sanksione shumë të fuqishme sektoriale, për të cilat na keni dëgjuar duke i përshkruar tash e disa muaj”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

Bashkimi Evropian të martën ka shpallur se në listën e sanksioneve i ka shtuar tetë individë dhe tri entitete, te lista aktuale prej 78 individëve dhe 20 entiteteve, të cilat janë nën regjimin e sanksioneve.

Bashkimi Evropian, po ashtu, është pajtuar për imponim të embargos së armatimit ndaj Rusisë, kufizim të qasjes në tregjet e kapitalit për bankat ruse, që janë pronë e shtetit, dhe për kufizime në eksportin e mallrave dhe teknologjive, përfshirë edhe sektorin e naftës. (f. bujupi)