Banka e Shqipërisë ngre dy grupe kontrolli për vjedhjen e miliona dollarëve

Ilustrim

Mbas gjashtë ditësh nga konstatimi i vjedhjes më të madhe të ndodhur në historinë e Bankës së Shqipërisë, guvernatori i saj Ardian Fullani urdhëron ngritjen e dy grupeve të punës për të kryer një inventar të plotë të parave që ruhen në Qendrën e Emisionit në Linze, pas konstatimit të vjedhjes së parave.

Njëri nga komisionet ka për detyrë të verifikojë të gjitha kutitë me paratë që duheshin asgjesuar, ndersa komisioni tjetër po evidenton kartemonedhat që vinin nga fabrika e prodhimit në Zvicër.

Deri tani u konstatuan 6 pako të hapura. Çdo pako ka brenda saj shumën prej 1 miliard lekësh.

Ardian Bitraj tha në polici se shifra e vjedhur nga ai është 750 milionë lekë, ndërsa sipas kallëzimit te Bankes se Shqipërisë dyshohet se shuma e vjedhur është 600 milion lekë.

Gjithsesi shifrat që perfliten janë ende të pasakta.

Me përfundimin e raportit të kontrollit, do të vazhdojë marrja në pyetje e punonjësve të Qendrës së Emisionit të Monedhës dhe zyrtarë të Bankës së Shqipërisë.

Prokuroria u kërkoi të gjitha bankave të nivelit të dytë, që të kontrollojnë llogaritë bankare të 20 familjarëve të të arrestuarëve.

Në listën e këtyre 20 personave, janë familjarë e të afërm të 2 të arrestuarve, si prindër, vëllezër, motra, kushërinjë të parë apo te afërm të tjerë.

Pesë ditë më parë kontrolli i brendshëm i Bankës së Shqipërisë, në momentin që ka tentuar të bëj inventarizimin e parave që do të asgjesoheshin ka konstatuar mangësi në pakot e mbushura me kartmonedha.

I arrestuar nga policia për këtë vjedhje është Ardian Bitraj, punonjës në Emisionin e Monedhës i cili e ka pranuar akuzën e vjedhjes së 7 milion dollarëve, si dhe Mimoza Bruzaj përgjegjëse e arkës në Emisionin e Monedhës, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në vjedhje.

Ajo nuk e pranon akuzën.

Hetimi i mëtejshëm pritet të zbardhë skemën e vjedhjes së miliona dollarëve nga Banka e Shqipërisë, që renditet si vjedhja më e madhe në historinë e kësaj banke.