Universitete për nevoja të tregut të punës

Ilsutrim

Universitetet në Kosovë kanë plan-programet e tyre, por që fatkeqësisht ato plan- programe nuk bazohen në nevojat e tregut, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.

Deri më tani, thonë ata, ka munguar një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, universiteteve dhe përfaqësuesve të bizneseve për të diskutuar rreth hartimit të programeve që mund t’i përmbushin nevojat e tregut të punës.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se interesimi i madh i të rinjve për të studiuar në disa lëmi që nuk ka nevojë tregu i punës, po e rrit edhe nivelin e papunësisë në Kosovë.

“Përveç kësaj, ajo që duhet të bëjnë universitetet është krijimi i kuadrove të vetëdijesuar se cili është sektori që duhet të orientohen. Synimi kryesor i secilit të diplomuar është që të punësohet në sektorin publik, e që kemi një numër të madh të të punësuarve dhe ka mbingarkesë. Sektori publik nuk duhet të shihet si vend ku gjendet një vend pune. Duhet të ngrihet vetëdija e të rinjve që të shohin sektorin privat ku mund të gjejnë punë apo vetë të krijojnë vende pune”, thotë Zeka.

Edhe në këtë vit akademik interesimi i të rinjve për t’u regjistruar në Fakultetin Ekonomik, Juridik dhe atë të Edukimit ka qenë jashtëzakonisht i madh.

Në programet e Fakultetit Ekonomik, sipas të dhënave zyrtare të Universitetit të Prishtinës, kanë aplikuar mbi 3500 kandidatë, derisa në Fakultetin e Edukimit për 500 vende të lira kanë aplikuar 3150 kandidatë.

Këshilltari për media në Universitetin e Prishtinës, Ardian Gola, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se janë mbi 21 mijë kandidatë që kanë aplikuar për 10054 vende të lira të shpallura në konkursin për vitin e ri akademik.

“Vlen të theksohet fakti që propozimet e dërguara nga fakultetet janë respektuar në tërësi, përfshirë këtu edhe ministrinë dhe konkursi ka dalë si rezultat i bashkëpunimit të thellë ndërmjet fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit. Fakultetet nuk mund të kenë arsyetime se nuk po respektohen kuotat që ata i kanë propozuar dhe kjo po reflektohet në mbingarkesë të stafit me numër më të madh të studentëve sesa që mund t’i përballojnë”, thekson Gola, duke shtuar se presin rritje të cilësisë pasi që janë respektuar propozimet e dërguara nga fakultetet.

Gola tregon se propozimet që dërgohen nga fakultetet, bëhen konform kapaciteteve infrastrukturore, administrative dhe pedagogjike, që janë të pajisura këto fakultetet, derisa sa i preket përputhshmërisë së programeve dhe nevojave të tregut të punës, ai thekson se kjo çështje duhet të adresohet nga Qeveria e Kosovës.

“Për hartimin e programeve, të cilat mund t’i përmbushin nevojat e caktuara të tregut, nevojitet një bashkëpunim më i thellë mes politikë-bërjes në nivel të qeverisë, subjekteve të caktuara afariste dhe universitetit dhe kjo çështje duhet të adresohet te Qeveria. Unë mendoj që në një të ardhme më të afërt duhet të mendohet më seriozisht për krijimin e një mundësie të një bashkëpunimi në mes këtyre aktorëve që janë të përfshirë në programet që mund t’i adresojnë nevojat e caktuara të tregut”, shpjegon ai.

Një problem më i theksuar nga mospërputhshmëria e programeve universitare me nevojat e tregut të punës, sipas Arian Zekës nga Oda Ekonomike Amerikane, Kosova do ta ketë me ardhjen e investitorëve të huaj në vend.

“Investitorët e huaj kërkojnë një fuqi më të shkathtë punëtore, sidomos për profile të caktuara. Me rritjen e investimeve të huaja, kjo do të jetë një problematikë, pasi që ne nuk do të arrijmë të ofrojmë më fuqi punëtore për profile të caktuara, për çka këta investitorë do të kenë nevojë”, shton Zeka.