Rajoni qendror turistik i Prishtinës, Bjeshkët e Nemuna, rajoni turistik i Sharrit, Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, janë vetëm disa qendra turistike në Kosovë, në ta cilat turistët mund t’i kalojnë pushimet verore.
Investimin më të madh në këto rajone turistike e kanë bërë investitorë individualë, të cilët në këto vende kanë krijuar restorante, hotele, dhe qendra argëtimi. Derisa, investime nga pushteti qendror dhe lokal është mjaft i ulët.
Rexhep Myftari, përfaqësues i projektit “Tung Kosova”, i cili ka për qëllim promovimin e 100 vendeve më të mira për t'i vizituar, tregon se janë afër 500 vendeve që turistët mund t’i vizitojnë në Kosovë.
Megjithatë, sipas tij, ka shumë vende të cilat kanë mbetur të pa mirëmbajtura dhe janë shkatërruar.
“Institucionet, në përgjithësi, si ato qendrore ashtu dhe ato lokale, nuk kanë pasur vullnet të mirë që të shtyjnë Kosovën përpara, si vend me potencial turistik, sepse Kosova përveç që ka potencial, është edhe në afërsi me të shumë shtete turistike që janë me rëndësi për turistët. Nëse turistët vijnë në Kosovë, mund ta vizitojnë tërë Ballkanin”, thotë Myftari.
Myftari shton se nëse dikush e kërkon Kosovën në internet, mund të shohë fotografi të luftës të vitit 1999 apo fotografi të protestave që janë mbajtur në Kosovë, por nuk mund të gjejë fotografi të vendeve të rëndësishme që mund t’i vizitojë.
Vitin e kaluar, projekti “Majat e Ballkanit”, që përfshinte organizata lokale turistike në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara kishin marrë çmimin ndërkombëtar, “Tourism for Tomorroë”.
Pasuritë natyrore të Pejës në Kosovë, Plavës e Gucisë në Mal të Zi, të Thethit e Valbonës në Shqipëri, me këtë çmim ishin futur në hartën botërore të turizmit.
Hysen Sogojeva, zyrtar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Departamentin e turizmit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se si vende turistike ku turistët mund t’i kalojnë pushimet, i veçon Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit.
Sogojeva tregon se kanë bërë mjaft punë për të rregulluar infrastrukturën ligjore të turizmit, ndërkohë që, siç thotë ai, nuk kanë munguar edhe investimet.
“Ne, si ministri, më tepër jemi marrë me infrastrukturën ligjore, pasi që pa u rregulluar infrastruktura ligjore, nuk mund të kemi një turizëm të mirëfilltë, sepse ajo specifikon drejtimin e turizmit, por investimet të gjitha këto janë vetanake. Në këtë drejtim qeveria ka ndikuar në rregullimin e infrastrukturës rrugore”, tregon Sogojeva.
Ekspertët e turizmit, në anën tjetër, vlerësojnë se Kosova mund të presë turistë nga mbarë bota, pasi që ka vende të shumta për t’i vizituar, por që sipas tyre, problemi qëndron në atë se ky sektor ka mbetur i anashkaluar nga autoritet e vendit.
Zekë Çeku, ekspert i fushës së turizmit, dhe udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë thekson se në Kosovë autoritetet nuk i kanë dhënë prioritet sektorit të turizmit.
“Turizmi në botë është industria më e fuqishme dhe në vendet në zhvillim, është një ndër dy prioritetet kryesore - e në Kosovë është prioriteti i fundit. Fatkeqësisht, përveç pronarëve dhe disa komunave, si ajo e Pejës dhe Prizrenit, pjesët tjera të Kosovës shumë pak, për të mos thënë fare, e kanë zhvilluar turizmin”, thekson Çeku.
Eksperti i turizmit, Çeku, shton se nëse këtij sektori do t’i jepej prioritet dhe do të kishte zhvillim, kjo do të ndikonte edhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në zbutjen e problemeve thelbësore që ka Kosova, siç është papunësia dhe varfëria.