Kosova as gjatë këtij viti nuk do t'i përmbush nevojat e popullatës për ushqim nga rendimentet e grurit.
Përderisa zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, konsiderojnë se deri në 80 për qind do të plotësohen nevojat e popullatës, përfaqësues të bujqve vlerësojnë se Kosova vetëm 30 për qind do të sigurojë bukën për këtë vit.
Megjithatë, të dyja palët pajtohen se fushata e korrje shirjeve është duke shkuar mirë.
Jusuf Cikaqi, kryetar i Komisionit për monitorimin e fushatës se korrje-shirjeve për vitin 2014, në kuadër të Ministrisë se Bujqësisë, thotë se bazuar në sipërfaqen e mbjell më grurë dhe rendimentet mesatare, shpresohet se Kosova deri në 80 për qind do të plotësojë nevojat e popullatës për ushqim.
“Bazuar në hektarët e mbjellur që janë në Republikën e Kosovës, rreth 85 mijë hektarë me grurë, kurse 90 mijë hektarë gjithsej me drithëra të bardha, do të thotë pjesa tjetër është më elb, tërshërë, thekër etj. Dhe me një rendiment mesatar nëse kalkulohet rreth 4,000 kilogram për hektarë, atëherë del se Kosova i plotëson nevojat vendore me 75 deri 80 për qind”, thekson Cikaqi për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, përfaqësues të bujqve vlerësojnë se vetëm për 30 për qind të popullatës Kosova sivjet do t'i përmbush nevojat ushqimore nga rendimentet e grurit.
Madje, sipas tyre, shifrat janë ndryshe sa i përket edhe sipërfaqes së mbjellë me grurë dhe rendimenteve të marra nga një hektarë.
Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, thotë se në Kosovë deri në 60 mijë hektarë janë të mbjellë me grurë, kurse për të mbuluar tregun vendor Kosova duhet të ketë të mbjella deri 170 hektarë sipërfaqe.
Ndërkaq, rendimentet mesatare sivjet kanë arritur 3,000 kilogram grurë për hektar, kurse sipas standardeve nevojiten 7,000 kilogram.
“Sivjet konstatim i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës është se nuk mund të sigurohet më shumë se 30 për qind të bukës për popullatën e Kosovës. Me këtë sipërfaqe dhe më këtë rendimet që mesatarja nuk mund të arrihet më me shumë se 3000 mijë kilogram për hektarë, nuk mund të sigurohet buka për popullatën e Kosovës".
"Kështu që po varemi vazhdimisht nga importi dhe fatkeqësia më e madhe është se importi i grurit bëhet nga Serbia. Do të thotë Kosova furnizohet më grurë dhe miell ekskluzivisht nga Serbia", thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Sipas disa të dhënave të organizatave ndërkombëtare thuhet se nevojat konsumuese për kokë banori sillen 205 kilogram në vit.
Sidoqoftë, Ministria e Bujqësisë edhe sivjet ka ndarë një fond për të subvencionuar fermerët që kanë mbjellë sipërfaqe me grurë edhe pse ende nuk ka janë zgjedhur përfituesit, po ashtu nuk është bërë as pagesa.
Jusuf Cakiqi, megjithatë thotë se nga ky fond do përfitojnë rreth 10 mijë fermerë më nga 125 euro për hektarë.
”Kanë aplikuar 11,780 fermerë me mbi 51 mijë hektarë, është bërë verifikimi i tyre. Lista përfundimtare ende nuk është përpiluar por numri i përfituesve pritet të jetë 10,500 fermerë me gjithsej 45 mijë hektarë të mbjellë me grurë, me shumë prej 125 euro për hektarë. Mendoj se pagesa do bëhet gjatë këtij muaji”, bën të ditur Cakiqi.
Nëse Kosova eventualisht nuk arrin të sigurojë grurë të mjaftueshëm për sivjet, atëherë mund të rritet çmimi i bukës, për shkak të importit të prodhimeve të grurit.