Kapacitete të plota operative për raste emergjente

Ilustrim

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ndihmë emergjente kanë kërkuar 17 mijë e 784 persona. Prej tyre, ndërhyrje operative është dashur të kryejnë 636 e rasteve, derisa numri i të aksidentuarve për gjashtë muaj ka qenë 1,544.

Këto shifra i ka dhënë Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën Emergjente.

"Ndihmë emergjente në periudhën janar-qershor 2014, kanë kërkuar 17, 784 raste. Kur është numri i madh i të lënduarve dhe kërkohet ndërhyrje operative ekziston një bashkëpunim i ndërsjellë me Klinikën së Kirurgjisë, të cilat i hapin kapacitetet për të ofruar ndihmë kirurgjike. Ekziston një përputhshmëri korrekte edhe me klinikat tjera dhe bashkëpunimi nuk ka munguar asnjëherë”, ka thënë Lenjani.

Në anën tjetër, Adem Rrusta, shef i sallës së traktit operativ, në Klinikën Kirurgjike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo klinikë është në gjendje gatishmërie për 24 orë, sa i përket rasteve emergjente.

“24 orë jemi në gjendje gatishmëri për çdo eventualitet. Gjatë sezonit të verës vijnë raste nga fatkeqësitë në komunikacion, por edhe gjatë gjithë vitit kemi raste të tilla. Të gjitha rastet që paraqiten, ne mund t’i mbulojmë me kapacitetet që kemi, pa asnjë dyshim - si me salla, si me aparatura”, ka shpjeguar Rrusta.

Por, për rastet kur jeta e pacientit është në rrezik, në Klinikën Emergjente janë dy salla operative, ku, sipas Lenjanit, ndërhyhet menjëherë:

Deri më tani Klinika Emergjente ka ofruar ndihmë për ndërhyrje operative në rast nevoje dhe pavarësisht kësaj ekzistojnë dy salla operative në Emergjencë, për rastet kur rrezikohet jeta, dhe Klinika Emergjente është e gatshme të ofrojë ndihmë”.

Ndërkaq, për raste jo-emergjente, Rrusta ka thënë se gjatë sezonit të verës bie numri i operacioneve. Ai ka përmendur një nga operacionet jo-emergjente, që zakonisht i shtyjnë gjatë periudhës së verës.

“Laparoskopia nuk ka emergjencë. Gjatë sezonit të verës zvogëlohet numri i rasteve. Është kirurgji e zgjedhjes, pa trauma, pa shenja dhe s’ka të bëjë me emergjencë”, ka theksuar Rrusta.

Por, Lenjani përmend një problem që e përcjell Qendrën Emergjente prej vitesh. Ato janë rastet jo-emergjente që referohen në këtë klinikë.

“Një problem që po na përcjell në Klinikën e Emergjencës është se spitalet rajonale i dërgojnë në Klinikën Emergjente rastet që mund të trajtohen atje, dhe na krijojnë tollovi dhe ne harxhojmë material shpenzues dhe barna, derisa klinika jonë është e dedikuar për rastet emergjente”, është shprehur Lenjani.