Lexuesi, mes librit të shtypur dhe atij elektronik

Ilustrim

Lexueshmëria e librit nuk është në nivelin e kënaqshëm, thonë njohës të këtij lëmi. Por, faktorët që ndikojnë në rënien e lexueshmërisë, janë të shumta.

Në tregun e literaturës, një ndikim të padiskutueshëm ka luajtur edhe interneti, nga i cili, libra të shumtë mund të shkarkohen dhe lexohen përmes ekranit. Pastaj industria kinematografike librat e suksesshëm i realizon si film.

Gjithashtu, edhe çmimi i lartë i librave në Kosovë, është një ndër arsyet që i shtyn njerëzit të mos lexojnë dhe aq.

Por, a është libri obligim apo dëshirë dhe shprehi që ai të lexohet?

Një mendimin për këtë e jep Mimoza Bajrami, juriste me profesion:

“Libri për mua kurrë nuk ka qenë detyrim dhe nuk do të jetë. Libri duhet të lexohet çdo ditë, jo në kohë të lirë, apo në ditë pushimi. Ai që e do librin, vargjet poetike, apo vargjet e shkruara, ai e do çdo herë, në çdo kohë dhe në çdo vend”.

Ndërkaq, Erina Rrahmani shkrimtare e librave për fëmijë, në prononcimim dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se të rinjtë kanë interesim për lexim, dhe se sipas saj, kjo dëshmohet me pjesëmarrjen e tyre në panairin e fundit të librit që është mbajtur në Prishtinë.

Lexueshmëria ka rënë, mirëpo vazhdon të ketë interesim, sidomos për librin akademik. Kemi edhe lexues të tjerë që librin e shohin si një mjet qetësues, për të marrë dije dhe eksperienca interesante. Te të rinjtë ka interesim dhe këtë e tregon pjesëmarrja në panairin e librit, ku kemi pasur një panair shumë të bujshëm me një numër shumë të madh vizitorësh dhe nuk mund të themi se nuk ka lexues”, thotë Rrahmani.

Ndërsa, lidhur me atë se përse ka rënie të interesimit të rinjve për të lexuar, Rrahamani thotë:

Interneti e ka bërë të veten dhe libri mund të lexohet edhe përmes internetit. Normalisht, teknologjia e ka pasur ndikimin e vet pozitiv, por edhe negativ pasi që njerëzit janë bërë përtacë për të lexuar. Pastaj libri i suksesshëm nga industria kinematografike bëhet film, dhe njerëzit e shohin më të arsyeshme ta shohin si film”.

“Nëse kemi tash fëmijë që nuk lexojnë, por luajnë lojëra elektronike, ne në të ardhmen nuk do të kemi lexues. Ne duhet të instalojmë sa më shumë dije te fëmijët tanë që ata të bëhen në të ardhmen lexues të rregullt”.

Por Mimoza Bajrami thotë se ndjenja që të jep leximi i një libri të shtypur krahasuar me atë elektronik, është krejt tjetër:

“Mua nuk më pëlqen të lexoj libër përmes postës elektronike, kurrë nuk më ka pëlqyer. Preferoj ta kem librin në duar, mendoj se ndryshe është ndjenja kur e prek librin, sepse duket se edhe vetë je më afër shkrimtarit dhe protagonistëve të veprës. Mua më duket që edhe unë jam pjesë e atij libri, romani, novele. Për mua libri është pasion për të qenë sa më afër shkrimtarëve që ndoshta nuk janë në mesin tonë, por kanë lënë diçka pas, për t’i kujtuar ata përmes shkrimeve të tyre”.