Protesta me intensitet të vogël në Shkup

Shkup, 05 korrik 2014

Edhe të shtunën para Qendrës Tregtare “Çairçanja” në lagjen Çair janë mbledhur dhjetëra protestues, nën moton “ndal rasteve të montuara gjyqësore”, të cilët për dallim nga dita e premte, ku protestohej para gjykatës, janë drejtuar kah ndërtesa e Komunës, një pjesë e të cilëve kanë gjuajtur me gurë drejt këtij institucioni.

Po jemi të irrituar nga aktgjykimi për rastin ‘Monstra’. Organet gjyqësore sillen në mënyrë fashiste ndaj ne, shqiptarëve. Ne jemi qytetarë lojal të këtij shteti, por me veprimet e veta, shteti nuk dëshmon se është lojal ndaj këtij populli, e theksoj ndaj popullatës shqiptare përderisa shqiptarët janë lojalë ndaj shtetit. Nëse vazhdohet kështu, Maqedonia, si shtet, mund të them se nuk ka ardhmëri, nuk i mbetet kurrfarë perspektive”, është shprehur për Radion Evropa e Lirë një nga protestuesit e së shtunës.

Policia edhe gjatë së shtunës ka përdorur granatat tronditëse, për të shpërndarë protestuesit. Ndërkohë në të gjitha rrugët e Shkupit, me theks të veçantë para institucioneve shtetërore, vërehet prani e shtuar e forcave speciale policore.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë edhe gjatë ditës së shtunë kanë hezituar të deklarohen para mediave, duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe komunikatat e dërguara.

BDI-ja, e cila është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, përmes një komunikate me shkrim, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e së premtes, ka bërë thirrje te të gjitha palët e involvuara që të përmbahen maksimalisht nga dhuna, meqë siç theksohet, ngjarjet si ato të së premtes nuk i ndihmojnë as procesit, as të dënuarve, as familjarëve, por as atyre që po bëjnë përpjekje që të kontribuojnë me qasje institucionale në zgjidhjen e këtij rasti shumë të ndërlikuar.

Dhuna e së premtes në rrugët e Shkupit, na e vështirëson angazhimin e mëtejmë në drejtim të zbardhjes së të vërtetës deri në përfundim të të gjitha procedurave ligjore që përfshijnë Gjykatën e Apelit, atë Supreme, por edhe Gjykatën e Strasburgut”, theksohet më tej në komunikatë, duke nënvizuar se Bashkimi Demokratik për Integrim si parti mbetet e angazhuar maksimalisht për ndriçimin e plotë të rastit.

Bashkimi Demokratik për Integrim bën të ditur se ka zhvilluar takime të shpeshta me familjarët e të dyshuarve dhe avokatët mbrojtjes, duke i qetësuar ata se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfundimtar.

Përderisa deputeti i PDSH-së në opozitë, Bekim Fazliu, protestat e së premtes i ka komentuar në profilin e tij në Facebok.

“Fatkeqësisht, vuajtjet e shqiptarëve nuk kanë të ndalur. U dënuan me burg të përjetshëm 6 shqiptarë pa asnjë dëshmi. Pamjet e sjelljes së policisë me protestuesit të rikujtojnë historinë e dhimbshme të shqiptarëve gjatë kohës së okupimit serb dhe realitetin e tanishëm të hidhur, por me një dallim. Xhelati atëbotë e kishte emrin Sllobodan, kurse tani e ka emrin Ali. Shpreh keqardhje për gjithë ata që sot pësuan në protesta. Shpreh keqardhje për gjithë shqiptarët e pafajshëm që vuajnë burgjeve”, ka shkruar Fazliu në Facebook.

Ndërkaq, të shtunën, të parët kanë reaguar përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ambasada e SHBA-ve, delegacioni i Bashkimit Evropian, OSBE dhe misioni i NATO-s në Shkup, kanë bërë thirrje për qetësim të situatës nga organet kompetente, si dhe qytetarët të përmbahen nga dhuna në Maqedoni.

“U bëjmë thirrje qytetarëve dhe liderëve të shtetit, që të bashkohen dhe në frymën e dialogut konstruktiv... Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore, por jo edhe të përfshihen në akte destruktive dhe të dhunshme”.

“Derisa çdo incident ndëretnik apo tentim për të nxitur jotolerancë, paraqet mundësi për politizimin apo shfrytëzimin e situatës për qëllime personale apo politike, ajo gjithashtu paraqet edhe mundësi për hapjen e dialogut dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet bashkësive të ndryshme ndëretnike. Kjo është një mundësi që liderët të rreshtohen në emrin e një shteti të integruar, që plotësisht respekton diversitetin”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Ambasadës së SHBA-së, delegacionit të Bashkimit Evropian, OSBE dhe misionit të NATO-s në Shkup.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Në reagimin e e saj, MPJ-ja e Kosovës thotë se "po përcjell me shqetësim zhvillimet e dy ditëve të fundit në Maqedoni lidhur me protestat e qytetarëve shqiptarë dhe dhunën e përdorur ndaj tyre nga policia maqedonase në Shkup".

"MPJ e Kosovës vlerëson se situata e krijuar nuk i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës ndërmjet etnive në Maqedoni. MPJ-ja u bën thirrje palëve që të shmangin veprimet e dhunshme dhe të tregojnë vetëpërmbajtje e maturi", thuhet më tej në reagimin e MPJ-së.

“Ministria e Jashtme do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe konsideron se dhuna nuk është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur mospajtimet në një shoqëri të ngritur mbi themelet e dy etnive më të mëdha dhe bashkëjetesës ndërmjet tyre”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.