Gërxhaliu: Barrierat nuk zgjidhen pa sundim të rendit dhe ligjit

Safet Gërxhaliu

“Emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha problemeve aktuale në Kosovë dhe i përshpejtimit të të gjitha proceseve pozitive në të ardhmen është vetëm sundimi i rendit dhe ligjit”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

RADIO EVROPA E LIRË

Shumë biznese e konsiderojnë situatën aktuale ekonomike të pakënaqshme në Kosovë. Po ashtu, një studim i fundit i bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës, tregon se situata e bizneseve kosovare është përkeqësuar. Pse kjo situatë?

SAFET GËRXHALIU

Është më se e vërtetë që jemi dëshmitarë të hidhur se në Kosovë më shumë flitet për ekonomi, sesa që bëhet për të. Dhe, në qoftë se ju u referoheni indikatorëve të fundit, atëherë nëse krahasohet viti 2013 me 6 gjashtë muajt e parë të 2014-s, kemi një përkeqësim në të bërit biznes dhe në ambientin biznesor në Kosovë.

E tërë kjo manifestohet në rend të parë në mungesën alternative të qasjes në financa. Kurse e dyta, është rënia e fuqisë blerëse, qoftë në sektorin me shumicë, qoftë në atë me pakicë, dhe kur kemi të bëjmë, do të thotë me të njëjtat probleme, kamatat e larta bankare, burokracia dhe një prokurim publik, i cili nuk është në funksion të zhvillimit, atëherë këta janë dëshmitarët më të mirë se çfarë është situata ekonomike në Kosovë.

Mirëpo, duhet të jemi të sinqertë dhe ta pranojmë realitetin njëherë e përgjithmonë, që ne mund të humbim kohë në deshifrim të problemeve dhe të barrierave,por asnjë barrierë nuk do të zgjidhet nëse nuk do të ketë sundim të rendit dhe ligjit.

Si mund të ketë ulje kamatave bankare në qoftë se nuk ka sundim të rendit dhe ligjit, si mund të kemi investitorë të huaj nëse nuk kemi sundim të rendit dhe ligjit dhe si mund të kemi përmbushje të obligimeve në aspektin intern, pa sundim të rendit dhe ligjit?!

Kur i analizoni qëllimet apo premtimet institucionale për zhvillim ekonomik dhe për krijim të vendeve të reja të punës, atëherë duhet të kuptohet se këtë mund ta bëjë vetëm sektori privat. Këtë mund ta bëjë në atë formë që krahas mbështetjes të ketë edhe mbrojtje se vetëm sektori privat mund të krijojë vende të reja të punës, mund të përmirësojë bilancin e pagesave, sepse jemi dëshmitarë të asaj që Kosova eksporton para të gatshme dhe vetëm sektori privat, përmes shërbimeve dhe produkteve të veta, mund të përmirësojë imazhin e Kosovës përmes “Made in Kosova” dhe aktiviteteve të ndryshme. Prandaj, është koha kur për ekonomi duhet të jemi shumë më të orientuar dhe ta marrim atë me shumë seriozitet, sepse shumëçka që ndodh në agjendën politike dhe në aktualitetin në Kosovë, lidhet me ekonomi.

Këtë e bazoj me faktin se pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë stabilitet politik, as social, as përshpejtim të proceseve integruese dhe pa zhvillim ekonomik është i pamundur që të mendohet minimizimi i tensioneve ndëretnike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë është krijuar një ngërç politik. Zhvillimet e fundit politike a po i dëmtojnë proceset ekonomike në vend?

SAFET GËRXHALIU

Më parë duhet të kuptohet e vërteta që në Kosovë dhe në Ballkan është e pamundur të bisedohet për probleme ekonomike e të mos marrin konotacion politik, për fat të keq, do të thotë refleksionet politike dhe të zgjedhjeve në Kosovë dhe të kësaj agjende të stërngarkuar, janë reflektuar drejtpërdrejt te sektori privat dhe në proceset e zhvillimit ekonomik.

Është e vërtetë që ka qenë një vit i zgjedhjeve, vit i premtimeve, mirëpo të gjitha këto premtime kanë qenë të orientuara drejt sektorit publik dhe jo atij privat. Është e paevitueshme që kjo agjendë politike ka ndikuar drejtpërdrejt dhe në qoftë se do të vazhdohet me këtë formë - jemi dëshmitarë të një realiteti se ekziston një dozë e mundësisë që të kemi zgjedhje prapë, atëherë vërtet viti 2014, në aspektin ekonomik, nëse do të hyhet prapë në zgjedhje brenda një viti, e Kosova nuk e ka këtë luks - do të jetë një vetëvrasje ekonomike, e cila do të ketë pasoja. Jo vetëm këtë vit po pasojat do të reflektohen në mënyrë kronologjike edhe në vitet e tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Investimet e huaja vit pas viti kanë shënuar rënie në Kosovë, a mund te ketë ndikuar jostabiliteti politik në largimin e investitorëve të huaj nga Kosova?

SAFET GËRXHALIU

Si duket zhvillimin ekonomik në Kosovë ende nuk e kemi pranuar dhe nuk e kemi perceptuar me seriozitet. Po ta kemi vërtet përnjëmend zhvillimin ekonomik, atëherë jo vetëm për investitorët e huaj, por edhe për bizneset vendore duhet të bëhet më tepër. Shumë shtete në nivel rajonal dhe evropian, kanë pako dhe strategji agresive për të tërhequr investitorë të huaj, dhe ju po e shihni që në Kosovë një qasje e tillë mungon.

Në rend të parë në nuk mund të jemi atraktivë për investitorët e huaj, në qoftë se nuk jemi mbështetës për bizneset vendore dhe kur e shihni me çfarë vështirësish ballafaqohet sektori privat. Dhe, kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike që do të reflektohet drejtpërdrejt në koston e produkteve dhe nga kjo kosto e ngritur do të reflektohet një formë e indeksit zinxhiror, një shtrirje që do të ndikojë edhe në ngritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera - atëherë vërtet është një situatë, e cila do të reflektohet negativisht në Kosovë, qoftë në dimensionin ekonomik, qoftë social, por mbi të gjitha në dimensionin ekstern.

Kur flitet për dimensioni ekonomik, atëherë duhet të kuptohet që është një grusht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe për sektorin prodhues dhe në qoftë se ky sektor është i atakuar, atëherë do të bjerë kualiteti i produkteve kosovare, do të bjerë mundësia që të hyjë në garë konkurruese dhe mbi të gjitha do të jetë i pamundur krijimi i vendeve të reja të punës, dhe avancim i sektorit privat.

Në aspektin social, kemi një krizë të vërtetë ekonomike dhe sociale, kemi varfëri ekstreme në rritje e sipër, kemi papunësi dhe kur krejt kësaj i shtohet edhe kjo rritje e çmimit, atëherë lind pyetja a mos po forcohet apo mos po rrezikohet Kosova më tutje nga bomba e ashtuquajtur e kurdisur sociale e cila vërtet mund të jetë bumerang?!

Po ndërlidhem prapë me investitorë të huaj, nëse imazhi i Kosovës është mjaft i dëmtuar, në qoftë se gjithkund në Kosovë dhe për Kosovën flitet për mossundim të rendit dhe ligjit, për mungesën e një pakoja për investitorët e huaj dhe tani edhe ngritja e çmimeve, atëherë lind pyetja kush do të jetë ai investitor nga jashtë, i cili do t’ia mësyjë Kosovës dhe do të investojë ?!

Dhe, ne nuk duhet të merremi aq shumë me investitorë të huaj, çka do të ndodhë, dhe nuk dua të besoj që do të ndodhë, në qoftë se një ditë edhe bizneset ekzistuese në Kosovë, sidomos sektori prodhues, i lodhur nga ky ambient aktual do të mësyjë bartjen e uzinave prodhuese qoftë në Shqipëri, Maqedoni apo diku tjetër, sepse fundja interesi është ai që e determinon destinacionin.

RADIO EVROPA E LIRË
Auditori i Përgjithshëm në shumë institucione ka gjetur parregullsi sa i përket shpenzimeve të parasë publike që ata kanë bërë. Cili është vlerësimi juaj lidhur me këtë mostransparencë dhe llogaridhënie të institucioneve?

SAFET GËRXHALIU

Auditori i Përgjithshëm gjithmonë evidenton parregullsi dhe vërtet e alarmon situatën, mirëpo nuk e di kohëve të fundit, apo viteve të fundit kush ka dhënë përgjegjësi për hir të këtyre keqpërdorimeve.

Kthejeni dhe bëjeni një dimension ose një paralele kohore para viteve ’90 dhe tani çka është duke ndodhur për sasi shumë të vogla të mungesës së parave ose keqpërdorimeve, njerëzit kanë kaluar me vite të tëra nëpër burgje ose kanë dhënë përgjegjësi.

E, në Kosovë si duket ata që identifikohen si shkelës të këtyre proceseve, jo vetëm që nuk janë të penalizuar, por përkundrazi, ndoshta edhe avancohen në pozita shumë më të larta.

Por, duhet të kuptohet që emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha këtyre problemeve aktuale në Kosovë dhe emëruesi i përbashkët i përshpejtimit të të gjitha proceseve pozitive në të ardhmen është vetëm sundimi i rendit dhe ligjit.