Fillimi i punimeve për ndërtimin e autostradës, Prishtinë-Shkup, vlerësohet si një nga projektet më të rëndësishme në thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë ekonomik mes dy shteteve, duke marrë parasysh eksportin e madh që realizon Maqedonia në tregun kosovar.
Njohësit e çështjeve ekonomike, kanë përshëndetur angazhimin e madh të institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tyre, dëshmojnë përkushtimin, që përmes kësaj autostrade të forcojnë edhe më tej lidhjet mes vendeve.
“Pala kosovare pa ndonjë ngarkesë politike, pa ndonjë ngarkesë nacionale vazhdon me këtë projekt, vazhdon me investimet infrastrukturore dhe në këtë drejtim mendoj se Kosova para së gjithash investon në ngritjen e ekonomisë së saj, por, kjo do t'i ndihmojë edhe ekonomisë së Maqedonisë sepse tregu kosovar do të afrohet edhe më shumë për kompanitë apo prodhimet e Maqedonisë. Në një farë mënyre mendoj se Kosova po e bën punën të cilën në këtë rast duhet ta bëj Maqedonia“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bilall Kasami, profor i Ekonomisë në Universitetin Ballkanit të Shkupit.
Ai kritikon autoritetet maqedonase për zvarritjen e procedurave për nisjen e punimeve për ndërtimin e pjesës së autostradës nga Shkupi deri në vendkalimin kufitar Bllacë.
Sipas tij, ky projekt, duhet të kishte përfunduar shumë vite më parë, por që është lënë anash për shkak të siç thekson, ngarkesave të ndryshme të qarqeve të caktuara.
“Një treg që ne tradicionalisht e kemi pasur, pra, tregun kosovar, ne me politika të tilla në vazhdimësi e humbim. Këtu në Maqedoni, shteti në vazhdimësi flet për projekte infrastrukturore, por ato ngelin në letër, kurse aktivitete konkrete nuk kemi asgjë. Nëse diçka për Maqedoninë do të kishte prioritet në investimet publike, autostrada e parë, e cila do të duhej të ndërtohej do të ishte pikërisht ajo prej Shkupit deri në Bllacë. Mirëpo, për shkaqe të pakuptimta kjo rrugë edhe më tej ngelet në sirtarët e qeverisë“, thotë Kasami.
Nga qeveria disa herë kanë paralajmëruar nisjen e punimeve, por përveç njoftimit se ndërtimi i saj do të bëhet sipas partneriteti publiko-privat, nuk ka asnjë zhvillim tjetër konkret.
Në fillim të këtij viti ishte njoftuar se shpallja e tenderit për zgjedhjen e firmës ndërtuese do të bëhet pas zgjedhjeve presidenciale, por edhe dy muaj nga zgjedhjet ende nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë plotësuese.
“Lidhur me realizimin e këtij projekti është paraparë që një korporatë financiare ndërkombëtare të ofrojë shërbime këshillëdhënëse lidhur me mundësitë për dhënien me koncesion të kësaj rruge në gjatësi prej 13 kilometrave dhe më pas do të shqyrtohen mundësinë për realizimin e saj, në bazë të partneritetit publiko-privat“, thuhet në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Nga bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve deri tani më shumë kanë përfituar kompanitë nga Maqedonia, që ilustrohet nga të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë, por, gjatë vitit 2013, këmbimi tregtar ka shënuar rënie, krahasuar me dy vitet paraprake.
Gjatë vitit të kaluar nga Maqedonia në Kosovë është eksportuar mall në vlerë prej 276 milionë dollarë ndërsa është importuar vetëm 29 milionë duke bërë që suficiti tregtar të sillet në rreth 246 milionë dollarë.
Në vitin 2012 eksporti në i mallrave nga Maqedonia në Kosovë sillej në rreth 392 milion dollarë ndërsa më i lartë apo në rreth 552 milionë ishte në vitin 2011 ndërsa importi nga Kosova në Maqedoni gjatë këtyre viteve, nuk ka tejkaluar asnjëherë 40 milionë dollarë.
Rënia e këmbimit tregtar shihet edhe si pasojë e problemeve të vitit të kaluar me ndalesën për importin e grurit nga Kosovë që çoi në embargo të tjera e deri në mbylljen e kufirit mes dy vendeve.
Sidoqoftë, nisja e punimeve për ndërtimin e autostradës së re, nga analistët shihet edhe si mundësi për kapërcimin e barrierave të ndryshme burokratike që kanë ekzistuar në sferën e ekonomisë mes dy vendeve.