ISIL shpall "Kalifat"

Luftime në Irak

Forcat e Irakut po e vazhdojnë kundërofensivën për ta rimarrë kontrollin ndaj qytetit verior Tikrit, derisa xhihadistët e udhëhequr nga sunitët, që kanë okupuar territore të gjëra në Irak dhe Siri, e kanë shpallur “Kalifatin”.

Helikopterët e ushtrisë i kanë sulmuar pozicionet e kryengritësve, ndërsa në disa pjesë të Tikritit ka pasur përleshje të armatosura.

Këto përleshje ndodhën pasi trupat e qeverisë së Irakut, gjatë 48 orëve të fundit e lansuan një ofensivë për ta rimarrë kontrollin ndaj Tikritit, që është okupuar nga militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe grupit Levant (shkurtimisht ISIL). Dëshmitarët kanë raportuar për disa valë të sulmeve ajrore të forcave qeveritare në pjesën qendrore të Tikritit.

ISIL-i e ka marrë kontrollin në Tirkit në fillim të qershorit, meqë më parë kanë okupuar edhe pjesë të gjëra të territorit verior dhe perëndimor të Irakut.

ISIL-i ka shpallur “Kalifat” – shtet islamik–që përfshinë territorin prej Alepos në pjesën veriore të Sirisë e deri në Dijala të Irakut.

Zëdhënësi i ISIL-it, Abu Mohammad al-Adnani, ka deklaruar se shefi i militantëve, Abu Bakr al-Baghdadi, është shpallur “kalif” dhe “lider i myslimanëve çdokund”.

Qeveria e Irakut ka njoftuar se i ka marrë aeroplanët e parë luftarakë nga Rusia, të tipit Sukhoi, për të ndihmuar në luftimin kundër kryengritësve.

Zyrtarët e sigurisë thanë se pesë aeroplanë Sukhoi, të dorës së dytë, do të hyjnë në veprim brenda pak ditësh. Priten edhe disa aeroplanë luftarakë të tillë.

Shefi i forcave ajrore të Irakut, Anwar Hamma Amin, tha se aeroplanët luftarakë janë tejet të nevojshëm për Irakun.

“Ne kemi shumë nevojë këto ditë për aeroplanët Sukhoi të Rusisë, që janë të specializuar në mbështetjen e trupave dhe në luftimin e terrorizmit. Këta aeroplanë do të futen në veprim brenda katër ditëve në mbështetje të trupave tona në luftën kundër organizatës terroriste ISIL”, tha gjenerali Amin.

Besohet se aeroplanët janë blerë nga ana e qeverisë së Irakut dhe vlera e marrëveshjes është diku rreth 500 milionë dollarë amerikanë.

Një zyrtar irakian tha se pilotët e periudhës së ish-diktatorit Saddam Hussein, do t’i drejtojnë aeroplanët.

Aeroplanët Sukhoi Su-25s janë të paraparë për sulme tokësore, kështu që ata do të jenë të përdorshëm për forcat e Irakut në përpjekje për t’i çrrënjosur militantët e udhëhequr nga ISIL-i nga territoret që i kanë okupuar.

Shtetet e Bashkuara, tashmë, në Irak kanë dërguar këshilltarë ushtarakë për ta ndihmuar qeverinë e Irakut.

Uashingtoni, po ashtu, ka kërkuar pajtim politik në Irak, në ballafaqim me atë që sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, e ka përshkruar si kërcënim “ekzistencial”.

Një zëdhënës i kryeministrit irakian, Nuri al-Maliki, ka thënë se qindra ushtarë janë vrarë prej 9 qershorit, kur kishte filluar sulmi i militantëve. Kombet e Bashkuara konsiderojnë se gjatë luftimeve janë vrarë së paku 1 mijë vetë, kryesisht civilë.

Kryeministri al-Maliki, që është pjesëtar i komunitetit shiit, është fajësuar se ka dështuar ta promovoj pajtimin kombëtar. Ai i ishte nënshtruar një presioni në rritje për ta formuar një qeveri gjithëpërfshirëse, pas zgjedhjeve të muajit prill.

Kleriku më i lartë shiit në Irak, Ajatollahu Ali al-Sistani, këtë javë u ka bërë thirrje blloqeve politike për tu pajtuar për kryeministrin e ardhshëm prej 1 korrikut, kur mbahet seanca e përbërjes së re të parlamentit.

Por, Koalicioni Kombëtar, i udhëhequr nga ish-kryeministri, Iyad Alawi, ka deklaruar se ky grup nuk do të marrë pjesë në parlament “derisa forcat politike ta paraqesin një orar për ta ndalur përkeqësimin dhe për t’i shëruar plagët brenda vendit”.

Ky koalicion ka ftuar që edhe partnerët e tjerë ta bojkotojnë seancën e parlamentit.

“Koalicioni Kombëtar u bënë thirrje partnerëve në procesin politik që ta bojkotojnë seancën e parë parlamentare dhe t’i refuzojnë ndryshimet e rrejshme, që asnjëherë nuk do t’i shërbejnë popullit tonë, e as që do ta zbusin krizën serioze me të cilën ballafaqohet vendi ynë i dashur”, tha Hatm Hatab, anëtar i Koalicionit Kombëtar, të ish-kryeministrit, Iyad Alawi. (f. bujupi)