Femrat hezitojnë të hapin biznese

Ilustrim

Me gjithë iniciativat e ndryshme të mbështetura, si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe sektori civil, për inkurajimin e grave që të merren me biznes përmes aftësimit të tyre, ndihmesës institucionale për gjetjen e tregjeve, gratë në Maqedoni hezitojnë të bëjnë biznes.

”Kur bëhet fjalë për ngritjen e biznesit, gratë në Maqedoni ballafaqohen me më shumë sfida sesa burrat. E para është mungesa e kapitalit, sepse si pasojë e mentalitetit, ato rrallë paraqiten si trashëgimtare të pasurisë, përkatësisht obligimet shtëpiake llogaritet se u përkasin vetëm grave, megjithëse statistikat dëshmojnë se femrat në zhvillimin e biznesit janë shumë më të kualifikuara dhe njëkohësisht më të përgjegjshme”, thekson Valentina Disovska, nga Shoqata e Grave Biznesmene në Maqedoni.

Gratë thonë se krahas sfidave të shumta që paraqiten në të bërit biznes në këtë kohë të konkurencës së pamëshirshme, një femër biznesmene është e detyruar të bëjë edhe një luftë - atë të thyerjes së tabuve dhe mentalitetit në këtë vend.

Shpresa Sinani, aktiviste për të drejtat e grave në rajonin e Pollogut, thotë se femrat e kanë shumë të vështirë që të ndërmarrin një hap drejt ngritjes së biznesit të tyre pa vënë në krye burrin ose ndonjë të afërm. Por, ato që thyejnë barrierat, kanë dëshmuar se janë shumë më të përgjegjshme sa i përket vendimeve që marrin lidhur me sigurinë e kapitalit.

“Nëse një grua gjen mbështetje në familje, mandej gjithçka është më e lehtë për të në realizimin e qëllimeve. Në Tetovë ka shumë femra biznesmene të mira, të cilat kanë dëshmuar se mund të jenë të suksesshme në realizmin e biznesit, si në sektorin privat, ashtu dhe atë shoqëror”, thekson Sinani.

Ajo potencon se femrat, veçanërisht në Malë sinë e Tetovës, me punimet e tyre artizanale kontribuojnë në masë të konsiderueshme në buxhetin familjar, por puna e tyre duhet promovuar, njëkohësisht institucionalizuar që më pas të mund të shfrytëzojnë benifitet e ndryshme që ofron shteti, po edhe fondet evropiane.

“Le të marrim shembullin e grave të Malë sisë së Tetovës, ku gjithë ato punëtore me duart e tyre punojnë punime dore, pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Duhet të punohet në këtë drejtim... Këto gra janë lënë pas dore. Bëhen disa projekte nga sektori civil sa për të arsyetuar mjetet nga donatorët, por asgjë thelbësore nuk bëhet që do të ndihmonte në institucionalizimin e punës së këtyre grave”, shton Sinani.

Nga ana tjetër, Violeta Nikollova - Mançevska nga Qendra e Grave Sipërmarrëse në Maqedoni, përmes një projekti të mbështetur nga fondet evropiane për zhvillim, ka realizuar një konferencë rajonale për inkurajimin e femrave, kryesisht në zonat malore që të zhvillojnë turizmin rural.

“Është me rëndësi të veçantë që femrat të njihen me kapacitetet, të cilat i disponojnë për të cilat shumë pak kanë njohuri, ne bëjmë përpjeke për t’i vetëdijesuar se ato munden shumë më shumë nga ajo që mendojnë se mund të bëjnë. Përmes këtij projekti tentojmë të pengojmë dhe migrimin fshat-qytet që ka marrë shumë hov kohëve të fundit, pra ato duke ndenjur në shtëpi të realizojnë të ardhura”, shprehet ajo.

Duhet theksuar se zhvillimi i biznesit lokal është një shtytje e rëndë sishme për zhvillimin e komunave, duke kujtuar se edhe praktika e vendeve evropiane ka dëshmuar se zhvillimi i turizmit rural më së miri bëhet përmes grave sipërmarrëse, të cilat përmes prodhimeve tradicionale arrijnë të promovojnë vlerat e viseve të caktuara.

Ndryshe, në Maqedoni në sektorin e sipërmarrjeve, gratë janë të përfshira me më pak se 30 pë r qind edhe atë kryesisht në industrinë e tekstilit, ushqimit dhe hoteleri, ndërkohë që aspak nuk janë të pranishme në sektorin e energjetikës dhe makinerisë.