Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të premten raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore.
Kosova bën pjesë në grupin e dytë, ku klasifikohen vendet, qeveritë e së cilave nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për luftimin e këtij trafikimi, por që bëjnë përpjekje të mëdha drejt përmbushjes së tyre.
“Kosova është burim dhe vend destinacioni për gratë, fëmijët dhe disa burra që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Shumica e viktimave të trafikimit në Kosovë janë qytetare femra, edhe pse, në vitet e mëparshme, gra nga Moldavia, Sllovakia, Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Polonia po ashtu janë përballur me prostitucion të detyruar nga grupet kriminale në Kosovë”, thuhet në raport.
I njëjti thekson se fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë, i janë nënshtruar lypjes së detyruar brenda vendit të tyre.
Raporti vë në pah se gjatë periudhës raportuese ka pasur rritje të numrit të vajzave të moshës 14 -17 vjeçe, të cilat shfrytëzohen për qëllime seksuale në shtëpi private, klube nate apo qendra të masazheve.
“Trafikantët i mashtrojnë ato duke u ofruar punë si kamariere, këngëtare ose kërcimtare në restorante dhe i shfrytëzojnë më pas për qëllime seksuale në apartamente private”, thuhet në raport.
Raporti thekson se Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, edhe pse bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim.
“Qeveria ka hapur një strehim të ri për viktimat, duke akomoduar viktimat meshkuj të trafikimit për herë të parë, si dhe ka rritur fondet për mbrojtjen e viktimave”, thotë raporti, duke vënë në pah se edhe gjykatat kanë bërë përparim në zvogëlimin e lëndëve të mbetura.
Autoritetet thuhet se kanë iniciuar 91 hetime të reja të trafikimit gjatë periudhës raportuese, krahasuar me 104 raste në vitin 2012. Ndërkaq, për punë të detyruar nuk ka pasur hetime.
Megjithatë, thuhet në raport, disa dispozita të Ligjit të ri për mbrojtjen e viktimave nuk janë zbatuar gjatë periudhës raportuese, përfshirë këtu kompensimin financiar të viktimave dhe lejen e re të qëndrimit.
Departamenti Amerikan i Shtetit, pos tjerash, u rekomandon autoriteteve kosovare që t'i ndëshkojnë autorët e trafikimit, të forcojnë përpjekjet për ndjekje penale, të sigurojnë trajnime të avancuara anti-trafikim për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe të rrisin përpjekjet për të identifikuar dhe ndihmuar fëmijët viktima. (v.tela)