Ulen kamatat e interesit për depozita

Ilustrim

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, kanë tepricë të mjeteve financiare, kjo për faktin se normat efektive për depozita vazhdimisht po shënojnë rënie, thonë ekspertë për çështje financiare.

Sipas Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, norma efektive për depozita është 1.7 për qind, norma për ekonomitë familjare 1.2 për qind, përderisa për ndërmarrje norma e interesit për depozita ka rënë në 0.5 për qind.

Pavarësisht kësaj, vlera e kursimeve të klientëve në nëntë bankat komerciale, sipas të dhënave zyrtare, ka arritur në 2 miliardë e 441 milionë euro, derisa kreditë që llogariten të jenë mbi 500 mijë, kapin shumën 1.8 milionë euro.

Lidhur me uljen e normave të interesit, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se bankat në vend kanë tepricë të mjeteve financiare.

“Problemi kryesor qëndron se edhe kamatat aktive në depozita ishin shumë të larta dhe shpeshherë kalonin 5.5 për qind. Nga fillimi i këtij viti normat aktive të depozitave janë ulur në një për qind. Dhe, njëkohësisht, kemi ulje të kamatave pasive që normalisht sillen deri në 11 për qind . Unë pres që shumë banka komerciale që operojnë në Kosovë kanë tepricë të mjeteve dhe ato patjetër duhet të ulin normën e interesit”, thotë Bektashi.

Ndryshimin e madh në mes të normave të interesit për kredi dhe kursime, profesori në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, e quan paradoksal, që sipas tij mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe jo në ndonjë shtet tjetër.

Me këto ndryshime, sipas tij, është krijuar një pabarazi në tregun financiar.

“Unë mendoj se dallimi në mes të kamatave për kredi dhe depozitave, në Kosovë është jashtëzakonisht i lartë, çka nuk besoj se është një praktikë në ndonjë vend tjetër, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe më gjerë".

"Kjo, sepse kamatat maksimale në Kosovë për biznese tek institucionet mikro-financiare shkojnë rreth 23 për qind, në përgjithësi kamatat për biznese janë rreth 17 për qind, ndërsa interesat për depozita sillen rreth dy për qind që është një shumë e papërfillshme"
, vlerëson Gashi.

Ulja e normave të interesit për kursime, sipas Gashit, po ndodh për shkak se bankat komerciale që operojnë në vend, artificialisht kanë krijuar një bindje se rreziku për kredi është i lartë.

Në këtë mënyrë, sipas tij, artificialisht po mbahen të larta normat për kredi dhe të ulëta normat për kursime.

“Artificialisht po flitet se rreziku për kredi është i madh dhe për këtë arsye norma në depozita është e ulët, marrë parasysh nivelin e kredive të këqija që ekzistojnë në Kosovë, në krahasim me rajonin edhe pse kemi një rritje".

"Megjithatë, janë të papërfillshme nëse i krahasojmë me rajonin shifrat e të cilëve kalojnë në numra dyshifrorë. Do të thotë, nuk qëndrojnë arsyet e bankave se tregu financiar në Kosovë është një treg i rrezikshëm”,
thekson Gashi.

Bankat në Kosovë ofrojnë llogari të ndryshme të kursimit, si dhe depozita me afat. Normat e interesit për secilën nga këto llogari ndryshojnë, varësisht nga lloji i llogarisë dhe afati i kursimit.

Ndryshe, edhe Banka Qendrore e Evropiane, ka zvogëluar nivelin e normës së depozitave, duke vendosur normën prej 0.1 për qind, me shpresë se do t'i nxisë bankat që të japin para hua në vend që të grumbullojnë.

Banka Qendrore Evropiane ka ulur kufirin e interesit prej 0.25 në 0.15 për qind.