Sa kanë kapacitete qendrat emergjente në raste urgjente?

Qendra Emergjente

Sistemi shëndetësor kosovar, sipas profesionistëve të kësaj fushe, është i përgatitur për shërbime emergjente, në masë të kënaqshme, por që ende ka hapësirë për t'u punuar në këtë drejtim.

Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë në nivel të lartë të gatishmërisë për rastet emergjente.

"Unë ju garantoj që në situatë emergjente, Qendra Emergjente është në nivelin më të lartë të gatishmërisë. Të gjitha kapacitetet shtesë përgatiten për pritjen e të lënduarve, të cilët kanë nevojë për shërbime emergjente", ka thënë Lenjani.

Ai ka shtuar se në rastet kur ndodhin incidente të mëdha si kjo e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku kanë humbur jetën tre persona dhe 13 të tjerë të plagosur, për në Qendrën Emergjente përgatiten të gjitha kapacitetet shtesë dhe dërgohen për të ofruar ndihmë.

"Kur ndodhin incidente madhore, na ndihmon shteti, dhe të gjithë sektorët e shtetit janë në nivel të detyrës", ka shpjeguar Lenjani.

Ndërkaq, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka bërë të ditur se shërbimet emergjente mjekësore në vend kanë pasur një përparim të dukshëm.

Ai ka shtuar se OBSH-ja ka ndihmuar vazhdimisht me programet e tyre në ngritjen e kapaciteteve të stafit për t'u përballur me raste emergjente.

"Edhe ne, si OBSH, gjatë katër vjetëve të kaluara, kemi pasur një program ku kemi ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve nëpërmjet trajnimit të stafit dhe komunikimit në nivele të ndryshme të sistemit shëndetësor".


"Megjithatë, mbetet ende hapësirë për t'u punuar në këtë drejtim, në mënyrë që këto shërbime të jenë më funksionale, sepse ka diskrepancë mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, sa i përket ofrimit të shërbimeve emergjente dhe shtrirjes së tyre të përgjithshme", ka theksuar Syla.

Ai gjithashtu ka shpjeguar për situatat kur kërkohet më shumë ndihmë mjekësore për rastet emergjente:

"Po mendoj që duhet përmirësuar efiçienca dhe shërbimet shëndetësore të mos jenë statike, por lëvizëse dhe më afër vendeve si aksidentet në komunikacion dhe të kenë qasje më të shpejtë drejt rasteve emergjente".

Së fundmi është nënshkruar edhe marrëveshje për themelimin e sistemit të komunikimit të shërbimeve emergjente mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa organizatave ndërkombëtare, për ngritjen e kapaciteteve në Kosovë, siç është përkujdesi emergjent mjekësor, kirurgjia rekonstruktive me plastikë, kirurgjia e shuplakës së dorës dhe kujdesi për pacientët me djegie.