Përurohet katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

Katedralja

Është shenjtëruar të dielën në Tiranë, katedralja ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtuesit më të rëndësishëm të Kishës Ortodokse Botërore.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për besimtarët ortodoksë, morën pjesë krerë të kishave ortodokse të botës, si Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Parë, Patriarku i Jeruzalemit, Theofili i III; Patriarku i Rumanisë, Danieli; Kryepeshokopi i Greqisë, Jeronimi; ai i Qipros, Krisostomi; Peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, Nikon Liolini; Kryepeskopi i Varshavës, Sava, Patriarku i Serbisë, Irinej dhe delegacioni i Kishës Ortodokse të Moskës.

Prania e kryepeshkopit serb, ka ngjallur reagime të forta në rrjete sociale, pasi Irinej ka lëshuar deklarata tejet të ashpra dhe radikale kundër shtetit të Kosovës.

Ndaj pranisë së kryepeshkopit Irinej, ka reaguar Aleanca Kuq e Zi duke e quajtur këtë të fundit armik të shqiptarëve.

Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi kanë vendosur parulla kryepeshkopit serb në kangjellat e Katedrales ku shkruhej: “Kryepeshkopi i Serbisë, kundër Shqipërisë”.

Për mbarëvajtjen e ceremonisë së shenjtërimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit”, policia bllokoi rrugët hyrëse për në katedrale.

Pas kryerjes së ritualeve që parashikon edhe liturgjia ortodokse, kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, mbajti edhe një fjalë të posaçme.

Të pranishëm në këtë përurim ishin të gjithë përfaqësuesit e politikës shqiptare, presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kreu i Parlamentit, Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Katedralja “Ngjallja e Krishtit” vlerësohet si një ndër ndërtimet më të bukura të kryeqytetit shqiptar. Ajo është ngritur në një zonë në qendër të Tiranës, jo larg vendit ku ishte Kisha e dikurshme, e cila u shkatërrua në vitin 1967, në kuadër të luftë së regjimit komunistë të kohës kundër fesë dhe besimit fetar.

Liria e besimit fetar u rikthye në Shqipëri mbas rrëzimit të sistemit komunist në vitin 1991.