Liberalizimi i vizave, premtim i pambajtur

Ilustrim

Nëse gjithçka do të shkonte ashtu siç kishte premtuar kryeministri në largim, Hashim Thaçi, në fushatën elektorale në zgjedhjet e vitit 2010, qytetarët e Kosovës tani do të lëviznin pa viza në të gjitha vendet e Shengenit.

Më 27 dhjetor të vitit 2010, Thaçi iu kishte premtuar qytetarëve se brenda 13 muajve ata do të udhëtonin në të gjitha vendet e Evropës pa pasur nevojë për viza.

“Ju siguroj dhe garantoj sot, juve qytetarë, se vetëm për 15 muajt e ardhshëm nga janari i vitit të ardhshëm të gjithë qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në gjithë Evropën. Për Kosovën, për qytetarët e Kosovës, do të ketë liberalizim të vizave, dhe ky nuk është premtim elektoral, por është premtim i Brukselit për mua në takimet që i kam zhvilluar me autoritetet e Brukselit”, pati thënë Thaçi.

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, nuk ishte ndalur me kaq, vitin 2013 ai e kishte proklamuar si vit të liberalizmit të vizave, gjë e cila nuk ndodhi.

Për premtime dhe dhënie të afateve për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropian, krerët e institucioneve në Prishtinë janë kritikuar disa herë nga analistë të integrimeve evropiane.

Analisti Shenoll Muharremi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se autoritetet në Kosovë kanë bërë gabime strategjike, sidomos në komunikim, ku kanë premtuar haptas disa herë dhe gabimisht i kanë rritur pritjet e qytetarëve se do të bëhet liberalizimi i vizave.

“Kemi pasur një qasje të gabuar të Qeverisë së Kosovës, ku ata deklarohen se ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet. Unë mendoj se nuk është kjo si funksionon ky proces, pasi që janë Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare dhe Komisioni që jep vlerësimin dhe e monitoron nëse kushtet janë zbatuar apo nuk janë zbatuar. Kosova dhe Bashkimi Evropian duhet të ulen dhe të shikojnë se si të instalohet një afat kohor më serioz edhe për zbatimin e kritereve që kanë mbetur nga udhërrëfyesi, por edhe si të përfundojë ky proces”, thotë Muharremi.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e liberalizimit të vizave u përdor për propagandë politike.

“Mendoj që ky ka qenë një shembull shumë i keq i një premtimi të pambajtur i kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovë dhe një shembull se si është keqpërdorur një çështje shumë madhore siç është liria e lëvizjes për qytetarët e Kosovës. Thjesht, për çështje të propagandës politike, e që në fund ka rezultuar me pothuajse aspak progres dhe me një Kosovë, e cila në vitin 2014 vazhdon të mos e ketë të përcaktuar kohën, ditën se kur do t’i liberalizohen vizat, por qytetarët e saj vazhdojnë të jenë më të izoluarit në Evropë”, vlerëson Korencia.

Nga institucionet e BE-së, Kosovës tashmë i janë dhënë mesazhe të qarta se mund të ketë zvarritje, qoftë për shkak të mospërmbushjes së kritereve nga ana e institucioneve, apo edhe për shkak të kritereve dhe rezervave në rritje të Brukselit që të pranojnë më tutje shtrirjen e liberalizimit për vendet ballkanike.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, kishte thënë se liberalizimi për shtetasit e Kosovës, jo vetëm që nuk ka gjasa të ndodhë sivjet, por ka dyshime se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe për 2 - 3 vjetët e ardhshëm.

Gjasat që zvogëluan çështjen që qytetarët e Kosovës të kalojnë fazën e izolimit drejt qarkullimit të lirë nëpër vendet e Bashkimit Evropian, përveç ngecjeve në përmbushjen e kritereve ishte theksuar të jetë edhe rritja e migrimeve ilegale dhe numrit të azilkërkuesve nga Kosova për në vendet e BE-së.

Ndryshe, nga premtimet për liberalizim të vizave që ishin dhënë në fushatën elektorale për zgjedhjet e vitit 2010, në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, rrallëherë mund dëgjosh nga krerët e partive politike duke folur për këtë proces, apo duke dhënë afate kohore.

Lidhur me këtë, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, shprehet:

“Mendoj së se kjo po ndodh për faktin se partitë politike në Kosovë asnjëherë nuk e kanë pasur seriozisht adresimin e reformave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe e kanë kuptuar se procesi i liberalizimit të vizave nuk është çështje e një vendimi humanitar që mund ta japë BE-ja, por kërkon vlerësime reale mbi gjendjen, në të cilën gjendet Kosova”.

“Dhe, kryeministri Thaçi dhe partitë e mëdha politike duke e ditur se nuk janë të gatshme për të ndërmarrë thellësisht reforma në sundimin ligjit, po shkojnë në një rrugë duke e hequr edhe prej listës së premtimeve çështjen e liberalizimit të vizave”.