Iluzionet e partive politike për ulje të kamatave

Ilustrim ©Shutterstock

Shumica e partive politike që po garojnë për zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit po premtojnë se më marrjen e pushtetit do të ulin e normat e interesit apo do të subvencionojnë kamatat për kredi në tregun bankar.

A ka mundësi që ky premtim të realizohet, klientët dhe bizneset mos të ankohen për norma të larta dhe njëherësh që mundësia e kthimit të këstit të kredisë të jetë më e lehtë?

Ekspertët e çështjeve ekonomike japin vlerësime të ndryshme.

Aktualisht, normat e interesit për kredi në Kosovë sillen nga 9 deri rreth 20 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Kamatat i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre, kurse Banka Qendrore e Republikës se Kosovës ka vetëm rolin e mbikëqyrjes dhe nuk ka të drejtë të ndërhyjë në politikat e bankave komerciale në vend.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr koalicionin qeverisës, tashmë në platformën e “Misionit të Ri”, thotë se me normën mesatare të interesit për kredi 13.7 për qind sektori privat nuk mund të zgjerohet.

Përderisa partitë tjera kanë premtuar se do të krijojnë mundësi që normat e interesit për kredi të arrijnë nga 3 deri në 7 për qind varësisht nga lloji i kredisë.

Madje, premtime ka se në fusha të caktuara të subvencionohen kamatat e kredive qind për qind.

Por edhe fond garantues për bizneset e vogla për uljen e kamatave të kredisë deri në nivelin e eurozonës.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, për Radion Evropa e Lirë, shprehet se qeveria nuk mund të ndërhyjë më dekrete shtetërorë në zvogëlimin e kamatave për kredi.

Por megjithatë, ai shprehet se partia politike që do të qeverisë vendin në mandatin e ardhshëm ka mundësi përmirësimin e bazës ligjore, krijimin e mundësive për hapjen e bankave të reja në treg si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.

“Asnjë qeveri nuk mundet me dekret t'i ulë kamatat e kredive. Qeveria kontributin e vetë mund të jap në krijimin e një mjedisi financiar miqësor për t’i dhënë mundësi konkurrencës, në lehtësimin e hyrjeve të bankave të reja komerciale, në fuqizimin e tregut financiar".

"Ky do të ishte kontributi më i pritur i qeverisë. Ajo që do të ketë ndikim në lehtësimin e kamatave, sigurisht që ka të bëjë më fuqizimin e shtetit ligjor, kjo është detyrë e shtetit, fuqizimin e sistemit të drejtësisë”
, thekson Sadiku.

Edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se asnjë qeveri nuk mundet në mënyrë administrative të përcaktojë kamatat e kredisë.

Por, nëse qeveria e ardhshme rrit ofertën e kapitalit në Kosovë me një normë të ulët të interesit, kjo mund të rezultojë më kamatat më të ulëta për kredi.

“Në fushatë që është një risi në politikën kosovare, thuhet se të gjitha partitë politike prioritet mbi prioritet kanë politikat e ekonomike dhe ku mbështeten në zvogëlimin e normave të interesit. Unë besoj se normat e interesit nuk mund të zvogëlohen në mënyrë administrative më urdhër nga lartë, sepse do të shkaktojmë ikje të kapitalit apo bankave perëndimore nga tregu kosovarë”, shprehet Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Muhamet Sadiku, premtimet për ulje deri nën pesë për qind për qind kamatat për kredi, i quan iluzione të partive politike.

"Unë besoj se këto janë në sferën e iluzioneve monetare, sepse Kosova nuk mund të ndryshojë dramatikisht as në aspektin ekonomik. Ende jemi në tranzicion dhe porositësit se do të kemi kamata për 3 për qind, janë në sferën e iluzioneve”, thekson Sadiku.

Sidoqoftë, afër 500 mijë është numri i kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, me një vlerë prej 1.8 miliard eurosh.