Rasti i gjykimit të "Grupit të Drenicës", komprometues

Ilustrim

Situata e krijuar me rastin e gjykimit të ashtuquajturit "Grupit të Drenicës" është denigruese për sistemin gjyqësor dhe sundimin e ligjit në Kosovës, vlerësojnë ekspertë të drejtës penale dhe çështjeve kushtetuese - juridike.

Sipas tyre, rasti i mosparaqitjes në seancë dhe refuzimi i pranimit të transferimit në burgun në veri të Mitrovicës nga ana e tre personave nga ky grup, ka nxjerrë në pah edhe njëherë brishtësinë e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu vlerëson se ky rast ka komprometuar në masë mjaft të madhe aspektet e sundimit të ligjit në vend.

"Ky rast, nga aspekti i sundimit të ligjit është mjaft komprometues. Sipas këtyre ngjarjeve që ndodhën deri tash, del se këtu burgjet nuk janë në nivelin e duhur, si edhe siguria dhe mbajtja e personave aty", thotë Salihu.

Mirëpo, profesori Salihu ka nxjerrë në pah edhe një element tjetër për këtë rast. Ai thotë se personave të burgosur, sikurse edhe qytetarëve tjerë, duhet t'u garantohet siguria. Në këtë rast, ai vlerëson se transferimi i këtij grupi në veri të Mitrovicës, ku institucionet e shtetit të Kosovës nuk kanë qasje, ishte një veprim jo mirë i menduar nga misioni i EULEX-it.

"Vendimi i EULEX-it që këta persona, të ashtuquajturit 'Grupit të Drenicës' të transferohen në burgun e veriut të Mitrovicës është provokativ dhe nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare për sigurinë e personave të privuar nga liria, për shkak se vërtet në pjesën veriore të Kosovës nuk ka siguri as për qytetarët e lëre më për personat e privuar nga liria", konsideron Salihu.

Në anën tjetër, profesori i çështjeve kushtetuese - juridike, Riza Smaka, thotë se refleksionet e gjendjes së krijuar me gjykimin e "Grupit të Drenicës" prodhojnë percepcionin se gjyqësori nuk është efikas dhe nuk është efiçient.

Ikja apo hezitimi i personave nga "Grupi i Drenicës" që të transferohen dhe gjykohen në veri, sipas profesorit Smaka, vjen si refleksion gjendjes faktike në këtë pjesë, ku institucionet lokale, përfshirë edhe gjykatat nuk janë nën kontrollin e shtetit të Kosovës.

"Në pjesën e veriut shteti ynë nuk e ushtron pushtetin efektivisht. Atje pushtetin e ushtrojnë serbët shumicë. Por, këtu nuk është objeksioni që serbët, por bëhet fjalë për serbët, të cilët ditë e natë - natë e ditë, e atakojnë dhe nuk e pranojnë shtetin tonë", thekson Smaka.

Profesori Smaka kritikon edhe EULEX-in, ngase kohë më parë, nën presionin e protestave të serbëve në veri kishte vendosur që ta transferonte të dyshuarin për krime lufte Oliver Ivanoviq nga Prishtina në veri të Mitrovicës.

Aplikimi i standardeve të dyfishta është i dëmshëm kur është fjala për sundimin e ligjit, thotë Smaka. Ai njëherësh i quan edhe farsë politike deklaratat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, të cilët që nga Marrëveshja e 19 Prillit me Serbinë, e arritur vitin e kaluar, në shumë raste kishin deklaruar se sundimi i ligjit në Kosovë shtrihet në gjithë territorin.

Ky është vetëm një rast që e dëshmon të kundërtën, thotë ai.

"Absolutisht, nuk ekziston sistemi unik gjyqësor. Do të thotë, Gjyqësori i Kosovës nuk e ushtron pushtetin faktit në pjesën veriore të Mitrovicës. Kjo është vetëm farsë dhe është më tepër floskulë politike për popullin, si thuhet 'kush e han e han - kush s'e han s'e han'. Gjendja faktike është kjo; atje në gjykatat në veri nuk zbatohet Kushtetuta e Kosovës", vlerëson Smaka.

Situatën e krijuar me rastin e gjykimit të Grupit të Drenicës e kanë komentuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se ky rast e dëshmon edhe njëherë rëndësinë që ka prania e EULEX-it në Kosovë dhe krijimi i Gjykatës Speciale.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe ish-Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, duke thënë se ky rast më së miri e arsyeton themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me pretendimet e Dick Martyt dhe e cila do të funksionojë pjesërisht jashtë Kosovës.