Kriza e moralit në arsim, faktor i korrupsionit

Fotografi ilustruese

Sistemi i arsimit nuk ka mundur të shpëtojë nga dukuria e korrupsionit në Kosovë.

Madje, ky sistem është shndërruar më arenë të keqpërdorimeve dhe paaftësisë profesionale, konsiderojnë ekspertë të kësaj fushe.

Sipas tyre, kjo dukuri nuk po vërehet nga partitë politike, pasi edhe në prag të fushatës parazgjedhore, nuk po premtojnë luftimin apo zvogëlimin e kësaj dukurie.

Halim Hyseni, nga Qendra për avancimin e përformancës së sistemit të arsimit, për Radion Evropa e Lirë thotë se korrupsioni në këtë sektor fillon nga investimet.

“Sektori i arsimit është në sistemin shoqëror. Përderisa korrupsionin e kemi në shoqëri, detyrimisht e kemi edhe në fushën e arsimit. Dhe natyrisht se ekziston në të gjitha sferat e ndryshme të arsimit. Duke filluar nga investimet në arsim, sepse edhe atje zhvillohen tenderët. Dhe jam shumë i bindur, edhe pse nuk mund të them me saktësi, por ka korrupsion”, thotë Hyseni.

Edhe Dukagjin Pupovci, udhëheqës në Qendrën për Arsim të Kosovës, thekson se keqpërdorimet që kanë përfshirë sistemin e arsimi janë nepotizmi, me rastin e regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme dhe në universitet, e deri te blerja e notave.

“Qoftë për regjistrimet e paligjshme apo edhe për shitje të notave, do të thotë është një dukuri e njohur dhe po ashtu korrupsioni në arsimin e Kosovës në masë të madhe edhe në formë të këmbimit të favoreve, që ndodh edhe në arsimin parauniversitar, por sidomos është dukuri që është e pranishme në arsimin e lartë", thekson Pupovci për Radion Evropa e Lirë.

Për një dukuri të tillë, tregojnë edhe vetë studentët.

Alberti, është student në vitin e dytë në Fakultetin Juridik. Ai thotë se ka raste kur studentët kalojnë provimet pa qenë fare prezent në provim.

“Njoh studentë që kanë kaluar pa qenë në provim, pa mësuar fare", thotë ai.

Këto keqpërdorime janë të pranishme për shkak se sektori i arsimit është i kapluar nga kriza morale, thotë Halim Hyseni.

"Ky proces ka ndikim negativ në cilësinë e sistemit të arsimit. Ndikon në erozionin e moralit, sepse veprimet imorale dhe amorale në arsim e krijojnë krizën e moralit dhe kriza e moralit është problemi kryesor. Pa e zgjedhur krizën e moralit, sistemi i arsimit nuk mund të avancohet. Sepse kriza e moralit kërkon një ripërtërije dhe ngritje të moralit, pa të cilat nuk mund të merren masa dhe veprime tjera të cilat mund të ndikojnë në avancimin e arsimit në të gjitha fushat e saj”, shprehet Hyseni.

Sidoqoftë, në prag të fushatës parazgjedhore, kur partitë politike po premtojnë përmirësim në të gjitha sferat e jetës, luftimi i korrupsionit në sektorin e arsimit duket se është harruar, thotë Dukagjin Pupovci.

Edhe pse ai nuk shpreson shumë në luftimin e kësaj dukurie, pasi siç thotë ai, korrupsioni në këtë sistem është krijuar nga ata që duhet luftuar.

“Unë nuk kam dëgjuar ndonjë premtim që dikush do të luftojë korrupsionin në fushën e arsimit. Dhe normal se do të kenë shumë vështirë që do ta luftojnë korrupsionin ata të cilët vetë janë të zhytur në të, qoftë në format më ekstreme të tij, apo në format e këmbimit të favoreve. Apo ata që kanë vënë kontrollin mbi segmente të caktuara të arsimit”, thotë Pupovci.

Ndryshe, edhe zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se nuk e përjashtojnë mundësinë e ekzistimit të korrupsionit në sistemin e arsimit, por, sipas tyre, deri më tani, palët nuk kanë paraqitur dëshmi.