Maqedoni: Mungesë kuadrosh në elektro-inxhinieri e farmaci

Ilustrim

Realizimi i reformave në lëmin e arsimit pa një strategji kombëtare, e cila duhet të përfshijë tërë sistemin arsimor që në ciklin e ulët, ka bërë që krahas numrit të madh të atyre që kërkojnë punë në disa sektorë, me theks të veçantë ai inxhinierisë elektronike dhe teknologjisë, kompanitë të ballafaqohet me mungesën e kuadrit profesional, thekson Xheladin Murati, nga Fakulteti i Pedagogjisë në Shkup.

“Nëpër shkollat fillore, por edhe ato të mesme, nuk ka një orientim të mirëfilltë të nxënësve që do të kenë për bazë potencialin dhe aftësinë e nxënësve për profesione të caktuara. Kjo mungon si pasojë e mungesës së kuadrit profesional arsimor që do të dijë të bëjë vlerësimin jo vetëm të nxënies së mësimeve, por dhe aftësive në profile të caktuara”, thotë Murati.

Ndërkohë, nga Drejtoria për Punësim në Maqedoni, njoftojnë se inxhinierët e elektroteknikës, teknikët e farmacisë dhe ata të ndërtimtarisë, janë profesione, të cilat kërkohen më së shumti nga investitorët e huaj.

“Jemi në kontakt të përhershëm me investitorët e huaj dhe shkollat e mesme për të krijuar një link mes atyre që nesër do të kërkojnë punë dhe ata që kanë nevojë për kuadër të kualifikuar. Po bëjmë përpjekje që gjeneratat më të reja t`i orientojmë kah ato profesione, për të cilat ka më shumë nevojë në tregun e punës dhe njëkohësisht janë dhe profesionet më të paguara”, thekson Sllobodanka Aleksova, nga Qendra për Punësim në Shkup.

Nga byroja për punësim, gjithashtu, theksojnë se Qeveria e Maqedonisë ka hartuar më shumë programe për informimin e gjeneratave më reja, se cilat janë drejtimet që krijojnë më shumë mundësi për ngritjen e tyre profesionale.

Por, Avzi Mustafa, profesor në Universitetin e Shkupit, thotë se fatkeqësisht është zhvendosur tërësisht relacioni treg i punës dhe përgatitje e kuadrit profesional, si pasojë e ndikimit të skajshëm të politikës gjatë punësimit të të rinjve.

“Partitë politike kanë në dorë tregun e punës dhe gjithçka në këtë drejtim - janë ato që diktojnë politikat kadrovike. Të rinjtë e kanë kuptuar se ata, të cilët janë më afër partisë, mund të gjejnë punë. Pra, nuk përfillen vlerat personale që dëshmohen në profesione të caktuara”, potencon Mustafa.

Ai shton se problematik është edhe ndryshimi në vazhdimësi i ligjeve që prekin çështjet arsimore, pa analizuar kapacitetin e kuadrit arsimor, që të përgatisë gjeneratat e reja për të qenë konkurrues në tregun e punës.

Ndryshe, përpos asaj se të rinjtë nuk përcaktohen për profesionet, të cilat janë deficitare në tregun e punës, numri më i madh i tyre nuk shohin perspektivë në Maqedoni, për shkak të pagave të ulëta.

Bekim Asani, absolvent në Shkencat Politike, thotë se është i vetëdijshëm se me diplomën e tij nuk do të mund të gjejë punë në vendet e BE-së, megjithatë ai planifikon ta braktisë vendin, si pasojë e pagave shumë të ulëta që nuk krijojnë mundësi për të ndërtuar një jetë të pavarur.

“Nuk duhet që në vazhdimësi ne të pretendojmë të shohim perspektivën jashtë vendit. Pse mos ta bëjmë të realizueshme ëndrrën tonë këtu në vendin tonë?! Më duhet të them se ne mundemi, disponojmë me kapacitete të shumta, por mungojnë iniciativat që tregu i punës t’i përzgjedhë më të mirët dhe jo më të dëgjueshmit”, shprehet Bekimi.

Ekspertët theksojnë se për të pasur një ekonomi të zhvilluar politikat shtetërore duhet të orientohen në ndërtimin e kuadrove profesionale, që në të ardhmen do të mund të konkurrojnë pa asnjë problem në tregun e punës, e sidomos në kërkesat e kompanive të huaja.