Kuvendi sot shpërndan vetveten

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme ku të vetmen pikë të rendit të ditës ka shpërndarjen e legjislativit si hapi final që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mocioni është prezantuar në bazë të një marrëveshje në parim të liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mocioni është vënë në rend dite ndërkaq nga një grup prej 57 deputetësh.

Bazuar në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, Kuvendi mund të shpërndahet me 80 vota të deputetëve.

Nëse nuk e arrijnë këtë numër, atëherë hapi tjetër do të ishte ai i ngritjes së mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë apo edhe ai i dorëheqjes së kryeministrit dhe vetë-shkakrimit të qeverisë.

Mirëpo, dy alternativat e fundit, kërkojnë disa procedura shtesë që do të mund të reflektonin më pas edhe në agjendën zgjedhore.

Sidoqoftë, nëse deputetët vendosin që me 80 e më tepër vota të shpërndajnë Kuvendin, hapat tjerë do të ishin, një takim i liderëve me presidenten, ku në bazë të konsultimeve do të shpallej data e zgjedhjeve.

Aktualisht, disponim është që kjo datë të jetë 8 qershori, mirëpo për shkak të hapësirës së ngushtë kohore për përgatitjen e procesit elektoral ka edhe mendime që të shpallet data 15 qershor.

Shpërndarja e Kuvendit erdhi si rrjedhojë e jofunksionalitetit të krijuar me muaj për shkak se qeveria e kishte humbur përkrahjen e shumicës.

Ndërkaq dështimi i këtij institucioni që të themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës ishte vlerësuar si tregues i jofunksionalitetit edhe nga vet kryeministri Hashim Thaçi.