Shuarja e klasës 13-të, dështim apo obligim?

Ilustrim©Shutterstock

Nga ky vit shkollor hiqet nga programi klasa 13- të e shkollës së mesme të lartë, thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, të cilët e konsiderojnë të arsyeshme që shkolla e mesme të përfundojë në klasën e 12-të.

Zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, thotë se ky vendim është marrë në bazë të ligjit parauniversitar, sipas të cilit, sistemi i arsimit parauniversitar përfundon më klasën e 12.

Sipas tij, analizat e ekspertëve të arsimit dhe ankesat e nxënësve dhe prindërve tregojnë se klasa e 13-të është e panevojshme.

“Analizat kanë dëshmuar që shumica e maturantëve, në vitin e fundit të klasës së 12-të kanë pasur nota të larta mesatare të lëndëve në mënyrë për të mbërritur përqindjen e 3.5, çka do të thotë se e ka devalvuar qëllimin e ngritjes se cilësisë në arsim. Gjithashtu, ka pasur ankesa edhe nga nxënësit dhe prindërit që klasa e 13-të është një ngarkesë e tepërt për ta dhe po dëmtohen në raport me kolegët e tyre që kanë drejtime 12 vjeçare”, thekson Mustafa.

Në anën tjetër ekspertë për çështje të arsimit, thonë se nuk ka transparencë të mjaftueshme për ndryshime në sistemin e arsimit.

Halim Hyseni nga Qendra për avancimin e përformancës së sistemit të arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se vendimi i Ministrisë së Arsimit për mbylljen e klasën e 13- të, është vendim i shpejtë, jo i analizuar dhe me pasoja për nxënësit.

Ai thotë se gjeneratat të cilat janë regjistruar në gjimnaz, drejtim ky që ka pasur katër vite, duhet të përfundojnë katër vjet shkollim. Me këtë vendim Hyseni thotë se shkelen të drejtat fëmijëve.

“Kjo do të ketë ndikime negative, sepse shpërndarja e korrikulave-përmbajtjeve programore është bërë për katër vite. Kjo ndërprerje nëse vazhdon, automatikisht do të sjellë pasoja të rënda për nxënësit. Kështu që mendoj se janë vendime të shpjeta, të paanalizuara dhe me pasoja të riparueshme për nxënësit, të cilët i nënshtrohen ndikimit të këtij ndryshimi”, thekson Halimi.

Hyseni madje shprehet se heqja e klasës së 13-të gjatë këtij viti akademik, do të dyfishojë numrin e maturantëve të cilët pritet të konkurrojnë në institucionet e arsimit të lartë.

“Këta nxënës do të jenë të hendikepuar sepse po përfundojnë vitin pa i realizuar kërkesat programore. Edhe për këto pasoja nuk është menduar, edhe pse pasojat do të jenë afatgjate. Edhe nëse regjistrohen edhe nuk regjistrohen në fakultet, për këta maturantë pasojat do të jenë shumë negative”, shprehet Halimi.

Në krahasim më vitet tjera kur numri i maturantëve ka qenë deri 28 mijë, gjatë këtij viti mbi 45 mijë është numri i maturantëve të cilët do t'i nënshtrohen testit shtetëror të maturës, e më pas t'i drejtohen universiteteve publike dhe kolegjeve private.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, pranon se gjatë këtij viti akademik do të ketë numër më të madh të kandidatëve për të filluar studimet, por megjithatë, ai thotë se janë të përgatitur për të pranuar të gjithë kandidatëve potencialë.

“Absolutisht ne jemi të përgatitur, sepse ne kemi gjashtë universitete publike, nuk e kemi vetëm Universitetin e Prishtinës, siç ka qenë dikur. Por kemi gjashtë universitete publike dhe ata janë duke bërë përgatitjet në mënyrë që t’iu mundësohet numrit më të madh të studenteve të pranohen në fakultete".

"Mos të harrojmë këtu se kemi edhe 23 kolegje private që gjithashtu me numrin e studentëve që pranojnë ata, do të kenë kapacitet që këtë vit të pranojnë 40 mijë studentë të rinj - po flas gjithmonë bashkarish”, thekson Mustafa.

Ai, ndërkaq tregon se nga shuarja e klasës se 13-të mësimdhënësit nuk do të mbesin pa punë për shkak se të gjithë janë paraparë në buxhetin e Kosovës.