Fuele: Ne nuk qeshim më

Stefan Fuele gjatë intervistës në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele, ka thënë se BE-ja ka kontribuar në konfliktin aktual në Ukrainë, duke mos arritur t’i kuptojë deklaratat e kaluara të presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me trashëgiminë e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Ne nuk e kemi marrë seriozisht mesazhin që presidenti Vladimir Putin ka dërguar te ne disa vite më parë, kur ka thënë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe e shekullit 20. Gjysma prej nesh kanë qeshur, gjysma nuk e kanë kuptuar se për çfarë ka folur. Në samitin NATO-Rusi në Bukuresht, në vitin 2008, unë kam qenë i pranishëm kur presidenti Putin ka thënë se Ukraina është një shtet artificial. Përsëri, gjysma prej nesh kanë qeshur, gjysma nuk kanë kuptuar. Tani e kuptojmë dhe tani nuk qeshim më”, ka thënë Fuele në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Pak muaj më parë, Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina dhe vazhdon të mbështesë një lëvizje të armatosur separatiste në lindje të Ukrainës. Konflikti tashmë ka marrë dhjetëra jetë njerëzish.

Rusia po ashtu ka qenë e lidhur me dhunën vdekjeprurëse në protestat e Euromaidanit në Kiev, të cilat kanë shpërthyer pasi presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ka braktisur një marrëveshje të rëndësishme me Bashkimin Evropian, nën presionin e dukshëm të Moskës.

Fuele ka thënë se Brukseli nuk ka arritur ta bindë Rusinë që t’i shohë marrëdhëniet me Evropën si lojë me rezultat fitues dhe jo zero.

Ai po ashtu ka shprehur shqetësim për mospërfilljen që ka treguar Moska ndaj konventave ndërkombëtare, përfshirë Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, i cili garanton integritetin territorial të Ukrainës, dhe Marrëveshjen e Gjenevës, të arritur muajin e kaluar, me qëllim të parandalimit të dhunës së mëtejshme në Ukrainë.

“Zhvillimi më shqetësues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore është se marrëveshjet ligjore ndërkombëtare, parimet si ato të Helsinkit të vitit 1975, nuk kanë më rëndësi të mjaftueshme. Fuqia e të fuqishmit është ajo që ka rëndësi tani. Më herët kemi pasur një botë dypolare dhe Perden e Hekurt. Tani kemi një botë shumëpolare. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka prezantuar një botë zeropolare, ku rregulli i vetëm është se nuk ka rregulla. Kjo është e tmerrshme”, ka thënë Fuele.

Fuele, mandati pesëvjeçar i të cilit përfundon në muajin tetor, ka thënë se ende shpreson se Bashkimi Evropian mund ta bindë Rusinë që të angazhohet për një zgjidhje paqësore të krizës.

Ai, po ashtu, ka thënë se 28 shtetet anëtare të BE-së duhet të lënë mënjanë dallimet e tyre të brendshme, të gjejnë një qëllim të përbashkët dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Rusinë. Një numër i shteteve evropiane, përfshirë Gjermaninë, shtetet mesdhetare, Hungarinë dhe Finalndën, thuhet se i kanë tejet të rëndëishme lidhjet e tyre ekonomike me Rusinë.

“Nëse ne nuk jemi të qartë, të vendosur dhe të bashkuar kundër luftës ruse, ndikimet në vendet tona do të jenë të qarta. A është në interes të Putinit që të ketë një Bashkim të fuqishëm Evropian, që shprehet me një zë? Jo, nuk është”, ka thënë Fuele në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.(v.tela)