Neni problematik i Ligjit për kontrollin e duhanit

Ilustrim

Nga data 22 maj e vitit 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi. Merr frymë lirshëm, ishte mesazhi që u jepej kosovarëve nga ajo ditë dhe vullneti i qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar.

Por, neni 2.9 brenda Ligjit për kontrollin e duhanit, i cili parasheh mosekspozimin e duhanit në vende publike, është kthyer në rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Njëra nga deputetet që e ka votuar heqjen e këtij neni nga ligji është edhe Time Kadriaj nga Komisioni për Shëndetësi në Parlamentin e Kosovës.

“Arsyeja pse neni 9.2 u kthye në Kuvendin e Kosovës, se është kemi marrë 13 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës. Kjo bën që t’ia japin legjitimitetin Kuvendit që ta kthejë atë ligj për shqyrtim, pa u miratuar nga sponzorizuesi, e që në këtë rast është Ministria e Shëndetësisë”.

“Arsyeja pse kam votuar është se nuk kemi dashur që 13 mijë nënshkrime të qytetarëve t’i injorojmë. Ky ligj do të kalojë në lexim të parë, e më pastaj në lexim të dytë amendamentimi, dhe pastaj të gjithë deputetët le ta japin mendimin që të lejohet apo jo ekspozimi i duhanit”,
thotë Kadriaj.

Por, udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësi në Kosovë, Skënder Syla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i rekomandon fuqimisht institucionet e vendit, që të mos bëhen ndryshime negative dhe ndryshime që shkojnë në dëm të shëndetit publik.

“Çdo ndryshim që ndikon negativisht në shëndetin publik të qytetarëve, nuk përkrahet nga OBSH-ja. Edhe neni, për të cilin bëhet fjalë, ka për qëllim ndalimin e reklamimit të produkteve të duhanit në pikat e shitjes dhe qëllimi i këtij neni ka qenë që gjeneratat e reja mos t’i ekspozohen produkteve të duhanit përmes reklamimit. Andaj Organizata Botërore e Shëndetësisë është kategorikisht kundër këtij neni, dhe rekomandon fuqimisht tek institucionet e Kosovës që të mos bëjnë asnjë ndryshim të ligjit, sepse ligji është gjithëpërfshirës , por të punohet në drejtim të zbatimit të plotë tij”, shprehet Syla.

Edhe drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti pohon se neni 2.9, i cili nga praktika rreth njëvjeçare e zbatimit të ligjit, ka treguar që është një prej neneve më të zbatueshme në praktikë, nuk duhet të hiqet nga Ligji për Kontrollin e Duhanit.

“Ministria e Shëndetësisë e ka bërë të qartë përmes Qeverisë së Kosovës që është kundër çfarëdo ndryshimi të Ligjit për kontrollin e duhanit, aq më pak të nenit 9.2 . Për të gjithë ata që prioritet e kanë shëndetin e popullatës, është e papranueshme ndërhyrja në një ligj, i cili ka sjellë të mira për shëndetin publik në Kosovë dhe është evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare si një e arritur në këtë fushë”, pohon Hoti.

Ai shton se kjo nismë do të hasë në reagime të ashpra si nga Ministria e Shëndetësisë, po ashtu edhe nga shoqëria civile dhe nga gjithë ata që e kanë përkrahur pasivisht zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit.

“Çfarëdo ndërhyrjeje në ligj, komprometon përpjekjet që Kosova të lirohet nga barra ekonomike sociale dhe shëndetësore që ka tymosja e duhanit aktive dhe pasive dhe do të komprometonte politikat e Qeverisë e Kosovës, e mbi të gjitha Kuvendin që vetë e ka votuar Ligjin për kontrollin e duhanit”, thotë Hoti.

Nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë tymosin duhan në mënyrë të rregullt.