Ukrainë: Vatrat e krizës

  • Claire Bigg
Rriten tensionet në lindje të Ukrainës, përderisa afati i caktuar nga Kievi më 14 prill për largimin e njerëzve të armatosur pro-rus që të lëshojnë ndërtesat administrative- qeveritare po kalon. Më poshtë, prezantohen qytetet apo vatrat e krizës në këtë pjesë të Ukrainës.

Slovyansk

Flamuri rus valon mbi stacionin e policisë përderisa njerëz të maskuar ecin drejt barrikadës me thasë rëre të vendosur aty para. Forcat pro-ruse janë duke okupuar edhe zyrat e Shërbimit të Sigurisë Shtetërore.

Mediat lokale kanë raportuar se njerëz të armatosura e me uniforma të kamufluara kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit në mëngjesin e 14 prillit.

Seperatistët raportohet se kanë përmendur emrin e Vyacheslav Ponomaryov i cili ka thënë se ka marrë udhëheqjen e qytetit pasi që kryebashkiaku kishte ikur.

Koordinatori i forcave pro-ruse i cili ka identifikuar vetën vetëm me emrin Mykola i ka thënë agjencisë INTERFAKS se luftëtarët e tij “janë në gjendje gatishmërie” dhe janë të gatshëm të qëndrojnë “deri në fund”.

Shkollat dhe kolegjet në këtë qytet të thëngjillit e minierave me 100 mijë banorë janë mbyllur deri në njoftimin tjetër.

Më 13 prill, Forcat Speciale të Ukrainës kanë shkëmbyer zjarr me forcat pro-ruse në betejën e parë të armatosur që është raportuar në lindje.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov ka shkruar në Facebook se një zyrtar i policisë së këtij vendi është vrarë dhe pesë të tjerë ishin plagosur. Ai ka shkruar po ashtu se kishte të vrarë e të plagosur nga të dyja palët.

Luhansk

Qindra njerëz ishin mbledhur jashtë ndërtesës së administratës në orët e para të 14 prillit. Stafi tashmë ishte evakuuar.

Udhëheqësit e protestave u kishin dhënë ultimatum krerëve të administratës së qarkut që të dorëzoheshin.

Gazetarët e medieve lokale thonë se janë kozakët dhe njerëzit me maska e uniforma të kamufluara në mesin e protestuesve. Disa ligjvënës komunist po ashtu ishin parë të ishin të pranishëm në turmë.

Ndërkohë, demonstruesit pro-evropian vazhdojnë të tubohen nën thirrjet për ruajtjen e unitetit të Ukrainës.

Horlivka

Aktivistët pro-rus kanë marrë ndërtesën e policisë lokale dhe kanë ngritur flamurin e “Republikës së popullit në Donetsk”. Ata kanë marrë kontrollin edhe në kuvendin e qytetit.

Zëvendës-shefi i policisë ishte kapur paraprakisht rob dhe me pranga në duar është dërguar për në Donetsk

Donetsk

Forcat pro-ruse nuk po tregojnë shenja të tërheqjes. Ato po qëndrojnë tutje në ndërtesën e administrimit lokal dhe kanë ngritur flamurin e “Republikës së popullit Donetsk”.

Më 12 prill, me qindra njerëz të uniformuar kanë marrë stacionin e policisë dhe shefin e këtij stacioni policor e detyruan të jap dorëheqje.

Kharkiv

Rreth 50 veta janë lënduar më 13 prill pas përplasjeve të aktivistëve pro-rus dhe atyre pro-ukrainas. Policia ka raportuar për hospitalizimin e 10 personave.

Zaporizhzhya

Më 13 prill, llogaritej se rreth 3 mijë persona që u përkisnin aktivistëve pro-ukrainas kishin dalë në rrugë dhe ishin përleshur me disa qindra mbështetës pro-rus. Demonstruesit pro-ukrainas janë parë duke u hedhur vezë, miell, qumësht edhe rivalëve të tyre për disa orë.

Kramatorsk

Më 13 prill, forca pro-ruse të armatosura morën kontrollin mbi stacionin e policisë.

Fotografitë tregojnë se sulmuesit ishin të organizuar mirë. Njësiti prej 20 njerëzve në uniforma e të armatosur kanë shtënë nga armët automatike.

Maruipol

Bashkia e qytetit është në duart e njerëzve të maskuar e të armatosur.
Forcat pro-ruse kanë vendosur barrikada dhe kanë ngritur lart flamurin rus para ndërtesës. Maruipol është një qytet vetëm 50 kilometra larg kufirit me Rusinë.

Makiyivka

Seperatistët në këtë qytet industrial kanë uzurpuar ndërtesën e bashkisë. Dëshmitarët e rastit kanë thënë se marrja e kontrollit aty ishte paqësore.

Druzhkivka

Seperatistët mbajnë nën kontroll ndërtesën administrative.

Yenakiyene

Tri ndërtesa administrative janë uzurpuar, këshilli i qytetit, zyra e prokurorit dhe stacioni policor.
Përgatiti: Zijadin Gashi