SHBA: Aeroplani rus kaloi afër luftanijes amerikane

Luftanija amerikane USS Donald Cook në portin Konstanca në Rumani

Departamenti amerikan i mbrojtjes thotë se një aeroplan luftarak rus ka fluturuar disa herë ulët, duke kaluar afër anijes ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Detin e Zi.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, i ka dënuar aksionet e aeroplanit rus si “provokues dhe joprofesional”.

Incidenti ka ndodhur më 12 prill.

Koloneli Warren tha se aeroplani rus Su-24 ka kaluar 12 herë në fluturim të ulët, afër luftanijes USS Donald Cook, që ndodhet në Detin e Zi prej 10 prillit.

Ai theksoi se duket se aeroplani rus ishte i paarmatosur.

Tash luftanija amerikane, që bartë helikopterë, është në një port të Rumanisë.

Incidenti ndodhi në periudhën e tensioneve të larta ndërmjet Moskës e Uashingtonit, për shkak të aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Rusisë.

Këtë aneksim, shtetet perëndimore e kanë dënuar dhe e kanë vlerësuar si ilegal.