Investimi në Fondin Zhvillimor, i (pa)sigurt

Ilustrim

Përfaqësuesit e bizneseve dhe ekspertët e çështjeve ekonomike, japin mendime të ndryshme rreth kthimit të mjeteve të Trustit Pensional dhe Fondit të Privatizimit në Kosovë, si dhe derdhjen e këtyre mjeteve në Fondin Zhvillimor për Ndërmarrësi dhe Punësim.

Disa konsiderojnë se Kosova ka krijuar mekanizma që këto fonde të mos humben dhe të jenë të sigurta, por të këtij mendimi nuk janë ekspertët.

Investimi i këtyre mjeteve në këtë fond, nga eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa konsiderohet i pasigurt, pasi që sipas tij, autoritetet e Kosovës deri më tani nuk kanë treguar aftësi të mira të menaxhimit të financave publike në Kosovë.

“Siguria e këtyre mjeteve që do të ktheheshin nuk do të ishte aq e lartë duke pasur parasysh kualitetin e menaxhimit të financave publike që e kemi në Kosovë, praktikat në përgjithësi sidomos këto të fundit rreth shpenzime elektorale për qëllime politike nuk tregojnë një trend pozitiv apo që kemi një qeveri që përmbush kriteret themelore të menaxhimit të financave publike”, sqaron Musa.

Fond zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim është promovuar së fundi nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Ai ka bërë të ditur se ky fond do të bazohet në një pjesë të mjeteve financiare të shtetit të Kosovës që mbahen në banka jashtë vendit.

Si Fond është thënë se do të krijojë mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, duke përdorur praktikat më të mira investuese.

Fondi i Privatizimit është mbledhur nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve të shoqërore në Kosovë dhe kap shumë e mbi 600 milionë euro.

Derisa, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës kap shumë prej mbi 900 milionë euro dhe është fond i cili është mbledhur nga kontributet pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës.

Ndryshe, nga eksperti i çështjeve ekonomike Lekë Musa, shprehet drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka.

Ai konsideron se investimi i këtyre mjeteve në Fondin zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim është i arsyeshëm.

“Qeveria i ka të gjitha mekanizmat e nevojshëm institucional për të garantuar që këto funde të mos humben dhe mos të treten, por natyrisht të mund t’iu kthen kontribuuesve të tyre fillestar, kushdo qofshin ata”, vlerëson Zeka.

Zeka thekson se ajo çfarë qeveria duhet të bëjë është që të mos investojë të gjitha mjetet e fondit të privatizimit dhe trustit pensional në fondin e ri të zhvillimit, por që një pjesë e këtyre dy fondeve do të ishte një bazë e mirë për nisjen e fondit.

“Edhe fondi i privatizimit dhe ai pensional tashmë janë të investuara jashtë vendit, as atje nuk eksiton siguri më e plotë se ato mjete do të kthehen, por megjithatë qeveria e merr përsipër që ato mjete t’iu kthej kontribuuesve të tyre fillestar, shpresojmë më norma më të larta të fitimit sesa ajo që kontribuojnë”, tregon Zeka.

Investimi i mjeteve të Trustit Pensional në fondin Zhvillimor për ekspertin e çështjeve ekonomike Lekë Musa është çështje e ndjeshme.

Për këtë, sipas Musës nevojitet një unitet i gjithëmbarshme kundër shfrytëzimit të këtyre mjeteve, sepse këto janë para individuale. Siç thotë Musa është e njëjta gjë sikur të shkohet në bankë dhe të ju merren kursimet qytetarëve dhe ato të shfrytëzohen nga një qeveri e cila vjen nga një parti politike.

“Ajo çka duhet të bëjë qeveria është të tregoj saktësisht se ku dhe si do të investohen këto mjetë, cili është objektivi i këtij fondi dhe pse duhet të investohen. Të na tregojë përse sistemi ekzistues i financimit nëpërmjet sistemit bankar nuk është i mjaftueshëm, çka do të ofrojë interes më të ulët sesa bankat e tanishme dhe pse besohet se ky fond është mënyra drejt zhvillimit”, thekson Musa.

Ndryshe, në vitin 2009 autoritetet e Kosovës kishin marrë një iniciativë për investimin e Fondit të Privatizimit në Kosovë, por që në atë kohë ishte kundërshtuar nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Piter Faith, i cili kishte konsideruar se fondi i privatizimit duhet të investohen në mënyrë të sigurt.