Shpagimi i borxhit ndaj mësimdhënësve

Ilustrim

Implikimet buxhetore kanë bërë që Qeveria e Kosovës të rikthejë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës se Kosovës, që nga viti shkollor 1990-1999.

Me këtë ligj, do të shpaguhet puna e mësimdhënësve për atë periudhë, por kjo do të ndodhë në kohën kur pensionohen ata.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Selvije Halimi, këshilltare e ministrit të Arsimit, Ramë Buja.

Ajo shprehet se sipas Ministrisë se Financave është e pamundur që ky ligj të zbatohet më koston aktuale.

Sidoqoftë, Halimi thekson se brenda 15 ditësh, Ministria e Arsimit këtë projektligj do ta dërgojë në qeveri për aprovim.

“Jemi marrë vesh që ky ligj të rikthehet në rishqyrtim nga Ministria e Arsimit, nga komisioni punues i draftit, dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë për të ulur koston buxhetore, në mënyrë që të kemi një ligj të zbatueshëm".

"Që nga java e ardhshme, grupi punues do ulet ta rishikojë projektligjin sa i përket implikimeve buxhetore, dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje dhe ligji të shkojë në qeveri për t'u adresuar pastaj në parlament për miratim”, thekson Halimi.

Sipas projektligjit, mësimdhënësit që konsiderohen të jenë 22 mijë, do të marrin një pagë të plotë të pagës së garantuar si pension.

Edhe pronarët e shtëpive, që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre, të shfrytëzohen si shkolla, e që llogariten të jenë 3,200, do të gëzojnë një pagë të plotë me rastin e pensionimit, ndërkaq 80 për qind të pagës minimale do të gëzojnë punëtorët teknik dhe shërbyes.

Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, tregon se janë duke bërë përpjekje maksimale që ky projekt ligj të arrijë deri tek zbatimi.

“Ky ligj, mësimdhënësit i quan persona të merituar për shtetësinë e Kosovës. Por, dihet që në buxhetin e vitit 2014 nuk janë paraparë mjete për këtë ligj dhe 'lufta' që po bëjmë ne, është që të punohet ky ligj të jetë i plotë dhe të dërgohet në Kuvend që të votohet".

"Pastaj ne do të shohim se cilat janë përfitimet konkrete për mësimdhënësit dhe interesimi jonë më i madhe është mësimdhënësit që pensionohen të kenë një pension më dinjitoz dhe jo çfarë është pensioni sot”, thotë Jashari.

Në anën tjetër, profesori Adem Hyseni, mësimdhënës në atë periudhë, tregon se vendimi për një ligj të tillë ka qenë i mirëseardhur për punëtorët e arsimit të asaj kohe.

Ai, duke treguar rrethanat në të cilat kanë kaluar, thotë se mundi dhe sakrifica e arsimtarëve të asaj kohe nuk mund të shpaguhet apo kompensohet me mjete financiare, por nëse zbatohet ky ligj është një respekt dhe vlerësim ndaj punës se realizuar.

“Llogariteni vetëm udhëtimin e punëtorëve, kalonim nëpër katër punkte, dhe për çdo ditë jemi kontrolluar nga katër herë. Por, dëshira ishte e madhe, edhe pse shumë nga kolegët tanë janë torturuar dhe në mënyrë fizike gjatë këtij procesi. Por, kurrë nuk qe primar interesi personal, para interesave kombëtare, para interesave të arsimit që të mbahet gjallë”, thotë Hyseni.

Ndërkaq, ekspertë për çështje të arsimit, këtë projektligj e konsiderojnë si shpagim të borxhit që autoritetet kanë ndaj mësimdhënësve të kohës së para luftës, por shuma e ndarë, sipas tyre, është e pamjaftueshme.