Përfitimet nga koncesionimi i “Brezovicës”

Brezovicë...

Në muajin qershor të këtij viti pritet të zgjidhet kompania fituese, ndërsa në muajin shtator do të shpallet kontrata finale për koncesionimin e kompleksit turistik "Brezovica".

Në garë për këtë qendër tashmë gjenden katër kompani të parakualifikuara nga shtatë sa kanë shprehur interesim.

Në një përgjigjeje përmes postës elektronike, Manik Begolli këshilltar për marrëdhënie me publikun, në kuadër të projektit “Brezovica”, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tregon emrat e kompanive të para kualifikuara:

ATC Investments (konsorcium austriako – amerikan), Rilla Investment (konsorcium bullgaro – austriak), MDP Consultants (konsorcium nga Franca dhe Andora), MK Group (kompani serbe).

Këto kompani, sipas autoriteteve kompetente, posedojnë kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion për gjatë gjithë vitit për vizitorët lokal dhe ndërkombëtar.

Por, ekspertë të turizmit, theksojnë se autoritetet kompetente nuk kanë bërë të qartë profilin e kompanive, por megjithatë ata konsiderojnë se më një transparencë gjatë zbatimit të kontratës më kompaninë fituese, rezultatet nuk do të mungojnë.

Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, konsideron se përfitimet do të jenë evidente, por që pjesa më e madhe e profitit, sipas tij, do të shkojë jashtë vendit.

“Gjithsesi se Kosova do të përfitojë. Mirëpo shkalla e saj sa Kosova përfiton varet, çfarë kontrate, çfarë marrëveshje të koncesionimit do të realizojë shteti më investitorin. Normalisht, meqë investitorët janë të jashtëm, pjesën më të madhe të profitit do të qesin jashtë vendit , pastaj të gjitha investimet që do të realizohen në objektet në 'Brezovicë', pasi ne nuk kemi prodhime tona, të materialit ndërtimor. Të gjitha pajisjet, çdo gjë që do të investohet në to, kushtimisht mund të them se do të sjelljet nga jashtë”, thotë Çeku.

Edhe Bujar Kuçi, ekspert i turizmit, njëherësh ish-drejtor i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë se përfitimet e Kosovës nga koncesionimi i qendrës turistike varen nga kushtet e paraqitura në kontratën më kompaninë fituese.

“Unë mendoj se përfitimet do të varen nga kushtet e specifikuara në kontratën më koncesionerin e ri. Ato kushte tashmë dihen për shkak se faza e parë ka kaluar. Dhe krejt varet sa zbatohet kontrata që lidhet më koncesionerin fitues", shprehet Kuqi.

Por, Manik Begolli, thotë se realizimi i këtij projekti siguron krijimin e një numri te konsiderueshëm të vendeve te punës, zhvillim ekonomik, pra krijimi i bizneseve te reja, ndikim minimal mjedisor – në kuptimin e ruajtjes se mjedisit dhe respektimit te pasurive natyrore.

Në anën tjetër, Zekë Çeku, kërkon nga autoritetet kompetente që gjatë këtij procesi të ketë transparencë të plotë dhe jo manipulime.

“Ne e dimë se për mes investimeve kemi përvoja të këqija, në procesin e privatizimit. Prandaj unë dëshiroj që sa më pak të ketë implikime negative sa më pak korrupsion, dhe sa më pak interesa grupore dhe personale. Ky proces të zhvillohet në atë drejtim që sa më shumë të ketë interesa kombëtare, shtetërore dhe interesat e qytetarëve kosovarë të jenë në rend të parë”, thekson Çeku.

Sido që të jetë, autoritetet kompetente në Prishtinë kanë pohuar se përfitimet do të jenë të mëdha nga realizimi i këtij projekti.

Në dhjetë vjetët e ardhshme janë premtuar se do të hapen 4,000 vende të reja të punës dhe ndikimi ekonomik do të kalojë shumën prej 5 miliardë eurosh.

Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe apo në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit.

Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.