Një varr pas 15 vjetësh

Your browser doesn’t support HTML5

Dorëzohen mbetjet mortore të 19 viktimave

Edhe një pjesë e vetme mortore do të duhej t’i mjaftojë një familjeje për të ngritur varr për një të afërm që është zhdukur tash e 15 vjet.

Të martën një familje nga Krusha e Vogël mori mbetjet mortore të një burri të familjes, të vrarë në mars të vitit 1999 nga forcat serbe të sigurisë.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë mbetjet mortore të viktimës u identifikuan dhe iu dorëzuan familjes.

Me të parë mbetjet mortore, familjari nisi të qajë pa zë, dhe ulet në gjunjë.

“Ngrite lartë! Ngrite lartë”, u thoshte djemve të mbledhur rreth arkivolit Rasim Batusha, burri më i moshuar në mesin e familjarëve të viktimave.

Ishin 46 arkivole të mbështjella me flamuj kombëtar shqiptar, brenda një tende të improvizuar, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Në mesin e tyre ishin katër që dallonin nga ngjyra e bardhë, për të identifikuar viktimat fëmijë.

Ekipi mjeko-ligjor hapte edhe arkivolet, që familjarët të shohin vetë se çfarë po u dorëzohet.

Në brendi të arkivoleve ishte një qese, e madhe sa trupi i një njeriu.

Brenda tyre, preheshin eshtrat e viktimave, kurse një antropologe e huaj, ua shpjegonte familjarëve se në cilën varrezë ishin gjetur mbetjet mortore.

“Këto eshtra janë gjetur në varrezën e Shirokës në Suharekë”, po i thoshte antropologia e misionit evropian EULEX, Tarja Formisto një familjari.

Mbetjet mortore të 19 viktimave të luftës iu dorëzuan të martën familjarëve nga Krusha e Vogël, të cilit fshat në mars të vitit 1999 iu vranë 113 banorë, kryesisht të gjinisë mashkullore.

Agron Dibrani, nga Krusha e Vogël, që foli ne emër të familjeve të 19 viktimave të cilat u dorëzuan të martën, tha se të paktën tani familjet kanë varr ku të vajtojnë familjarët që pësuan në luftë.

“Është një gjë e mirë për familjarët, për faktin se e kanë një shenjë ku do të prehen [eshtrat]. Por dhimbja e tyre do të jetë më e vogël nëse akterët të cilët janë përgjegjës për këtë masakër, do të sillen para drejtësisë”, tha Dibrani.

Por, meqë disa prej familjeve nga Krusha e Vogël kanë pranuar një mbetje të vetme mortore, Dibrani pyet se çka tutje...?

“Me që shumica prej këtyre trupave janë të pakompletuar, a ka ndonjë shenjë që në të ardhmen e afërt mund të ketë edhe ndonjë pjesë shtesë?”, pyet ai.

Arsim Gërxhaliu, mjeku ligjor i cili prej pasluftës është në kërkim të të pagjeturve, shpjegon.

“Për fat të keq, shumë gjëra gjatë këtij 15 vjeçari i kemi parë, që nuk janë as në libër. Unë pres që edhe gjatë ditëve të ardhshme, të përballemi me të papritura. Ta zëmë, rasti i poligonit të gjuajtjes në Shirokë: pse ka dal [është gjetur] një pjesë [e trupit] në Vërmicë, një pjesë ka dal në Batajnicë, edhe pjesa e fundit ka dal para dy viteve në poligonin e gjuajtjes. Çdo herë me gjetjen e ndonjë varreze, nuk e përjashtoj mundësinë që pjesë të tjera të rigjenden”, përgjigjet Gërxhaliu.

Rasim Batusha ndërkaq po brengosej më shumë për të gjallët sesa të zhdukurit.

Ai ngriti çështjen e një të veje me pesë fëmijë, e cila po duhet të mbajë familjen me më pak se 150 euro në muaj.

Meqë në këtë pranim-dorëzim ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, asaj ia parashtroi te njejtën pyetje...

“Kemi një nënë për shembull, burrin e ka të pagjetur. I ka pesë fëmijë, në shkolla. Me 130 euro. Vetëm këtë pyetje kam, a mund të jetojnë me 130 euro sot gjashtë persona. Rrymën vijnë ja lypin, ujin vijnë ja lypin. Vjen rryma e thotë a po e paguan, apo po ta ndërpres. Aty i kemi ne në fshat krejt ashtu. E ajo i ka krejt vajza. Aty është tash puna. Ata [të zhdukurit] kanë shkuar”, thoshte duke u dridhur plaku Batusha.

Numri dy i qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri u përgjigj se ankesat që adresohen në komisionin qeveritar për të pagjeturit do të merren shumë seriozisht, dhe se do të merren masa.

Të hënën ndërkaq familjet e Suharekës ishin ftuar për të parë mbetjet mortore të 27 viktimave të luftës, prej të cilëve 24 ishin vetëm nga familja Berisha.

Nga Krusha e Vogël vazhdojnë të llogariten si të zhdukur 66 persona.

Në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të zhdukur që nga viti 1999.