Java e Gruas: Kërkohet trajtim i drejtë

Java e Gruas

Në Prishtinë ka filluar të hënën java e gruas që synon fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare.

Pozita e gruas në Kosovë ende vlerësohet të jenë nën nivelin e dëshiruar. Avancimi i shoqërisë, sipas pjesëmarrëseve në këtë konferencë mund të arrihet vetëm përmes trajtimit të drejtë të gruas.

Java e Gruas është një ngjarje vjetore e cila organizohet në Kosovë nga Instituti Kombëtar Demokratik në bashkëpunim me Grupin e Grave Deputete, që nga viti 2012.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson, ka premtuar përkrahje për gratë në Kosovë.

Ajo theksoi se do të vazhdojnë të mbështesin projektet që fuqizojnë dhe promovojnë gratë lidere dhe të drejtat e gruas në përgjithësi.

Për të ecur Kosova përpara, ka potencuar Jacobson, duhet të sigurojë trajtim të drejtë të gruas.

"Siç ka thënë edhe presidenti Obama, gjykimi më i mirë që mund t'ia bëjmë një vendi nëse ai do të ketë sukses apo jo është të shohim se si trajtohen gratë. Nëse janë të arsimuara dhe nëse kanë të drejtat e barabarta, atëherë ai vend do të lëviz përpara", ka shtuar Jacobson.

Ajo ka rikujtuar zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen gjatë këtij viti në Kosovë dhe ka theksuar se është me rëndësi që gratë lidere t'i shfrytëzojnë të drejtat e tyre dhe të dëshmojnë se çfarë mund të bëjnë.

“Si një e arritur e madhe është sidomos zgjedhja e Mimoza Kusari Lila në postin kryetares së komunës së Gjakovës, si model i fuqishëm për të gjitha gratë”, theksoi Jacobson.

Sidoqoftë, të dhënat zyrtare të mekanizmave të sigurisë në Kosovë flasin për një situatë ende të rëndë të gruas. 98 për qind e rasteve të dhunës në Kosovë kanë të bëjnë me gratë, që janë viktima të dhunës në familje.

Gratë të cilat përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike në të shumtën e rasteve nga bashkëshorti, vazhdojnë të mos gëzojnë përkujdesje të mjaftueshme institucionale.


Përfaqësues të qendrave që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, vazhdimisht kanë potencuar se Kosova ka krijuar mekanizma legjislativ me standarde evropiane sa i përket mbrojtjes ndaj dhunës në familje, por e gjitha kjo ka mbetur vetëm një teori e cila nuk po zbatohet.

Po ashtu varfëria dhe papunësia është e shprehur më së shumti të gratë.

Në anën tjetër, presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka theksuar se avancimi i pozitës së gruas dhe të drejtave të saj e zhvillon gjithë shoqërinë dhe e demokratizon atë.

Avancimi i shoqërisë, sipas Jahjagës, arrihet vetëm përmes pjesëmarrjes së plotë të gruas në të gjitha sferat e jetës.

“Dhe në jemi bashkë, jo për të dalluar shoqërinë e për ta ndarë atë në dysh, por jemi bashkë për të dëshmuar se fuqia jonë është fuqia e shoqërisë dhe se e drejta janë është e barabartë në këtë shoqëri po aq sa obligimet tona dhe përgjegjësia jonë”, ka theksuar presidentja Jahjaga.

Presidentja Jahjaga ka shprehur mirënjohje për të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës të cilat, siç theksoi ajo, për 15 vite kanë kaluar të heshtura dhe të rrënuar shpirtërisht.

“Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën e tyre, por mund të sigurohemi që e ardhmja mos të përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur, që e ardhmja e familjeve të tyre, e fëmijëve të tyre të mos përcaktohet nga një krim i kryer padrejtësisht mbi to”, është shprehur Jahjaga.

Qëllimi i Javës së Gruas 2014 është përgatitja e grave për të qenë pjese aktive në shoqërinë civile, në jetën politike dhe për t’u bërë lidere të së ardhmes në Kosovë.