Maqedoni: Kandidatët për president shpalosin programet

Foto nga arkivi

Të hënën fillon fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale të 13 prillit, në të cilat garojnë katër kandidatë të partive politike, presidenti aktual Gjorgje Ivanov, i nominuar nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski; Stevo Pendarovski, kandidat i Lidhjes Social-demokrate të opozitës; Iljaz Halimi, kandidat i Partisë Demokratike Shqiptare të opozitës; si dhe Zoran Popovski i një partie të vogël, opsionit qytetar të Maqedonisë.

Fushata elektorale do të zgjasë 20 ditë, periudhë kjo për kandidatët për të prezantuar programet e tyre para elektoratit.

Në konventat partiake, të gjithë kandidatët kanë thënë se prioritet i tyre do të jetë forcimi i kapaciteteve demokratike të Maqedonisë, integrimi euroatlantik, respektimi i dallimeve etnike, gjuhësore e kulturore të qytetarëve të Maqedoni, fqinjësia e mirë, si dhe krijimi i aleancave të reja, sfera këto që kanë të bëjnë edhe me kompetencat e institucionit të presidentit të shtetit.

Por, realizimi i tyre, e në veçanti ai i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, ka nxjerrë edhe një herë në sipërfaqe dallimet para së gjithash ndërmjet kandidatëve që besohet të jenë edhe pretendentët kryesorë për postin e presidentit.

Kandidati i VMRO-së, Gjorge Ivanov, thotë se Maqedonia do të mbetet e përkushtuar për procesin integrues, por kurrsesi që kjo të arrihet duke dëmtuar interesat kombëtare.

“Neve na duhet zgjidhje, por ajo zgjidhje nuk mund të jetë jashtë rezolutave dhe kartës së OKB-së, marrëveshjes së përkohshme dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne nuk duam zgjidhje, e cila do të shkelë mbi parimet kushtetuese të Maqedonisë".

"Emri dhe identiteti janë pjesë e jona. Emri dhe identiteti janë sikur lumi që rrjedh me shekuj dhe nëse heqim dorë nga emri dhe identiteti, është sikur të heqim dorë nga lumi, ujin e të cilit e pimë. Prandaj, nuk ka asnjë shtet, asnjë Qeveri, e asnjë forcë, e cila do t’u mohonte maqedonasve të drejtën që të quhen maqedonas”,
deklaron Ivanov.

Ndryshe nga ai, kandidati i opozitës maqedonase, Stevo Pendarovski, thotë se prioritet kryesor nëse fiton garën, do të jetë integrimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, si dhe respektimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa dallim përkatësinë e tyre etnike dhe fetare.

“Detyra më parësore e imja, por edhe e juaja, është që ta kthejmë Maqedoninë në binarët normalë. Është normale që Maqedonia të jetë shtet demokratik, por jo edhe autoritar. Është normale që Maqedonia të jetë shtet anëtar i NATO-s dhe BE-së, e jo aleate me diktatura afrikane dhe biznese të dyshimta aziatike”.

“Gjatë pesë vjetëve të kaluara, institucioni i presidentit ka përjetuar degradimin më të madh, prandaj do të angazhohem për kthimin e dinjitetit të presidentit. Parësore për mua do të jetë që t’i mbroj interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, të maqedonasve dhe shqiptarëve, të turqve, serbëve dhe të tjerëve që jetojnë në këtë vend”, ka deklaruar Pendarovski.

Për dallim nga dy kandidatët maqedonas, kandidati i PDSH-së, Iljaz Halimi, në paraqitjet e tij vëmendjen e ka përqendruar në pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila, sipas tij, është në gjendje të palakmueshme, si pasojë e politikave të këqija të pushtetarëve aktualë.

Halimi thekson se prioritet i angazhimit të tij do të jetë faktorizimi i shqiptarëve.

“Jam i bindur se unë dhe partia që përfaqësoj, do të japim maksimumin në faktorizimin e shqiptarëve, që edhe shqiptarët të jenë vendimmarrës në këtë shtet. Konsideroj se përmes zgjedhjeve presidenciale, ka mundësi që të realizohen përcaktimet tona programore, por se sa do të arrihet kjo, varet nga fuqia e votës, nga numri i votës, në të cilat ne aspak nuk dyshojmë pasi me siguri se do të kemi mbështetje të fuqishme pasi kjo është në interesin tonë”, thekson Halimi.

Zgjedhjet presidenciale mbahen në dy rrethe zgjedhore. Në rrethin e dytë që mbahet më 27 prill, kalojnë dy kandidatët që marrin më shumë vota në rrethin e parë, ndërsa president zgjidhet kandidati që ka marrë më shumë se 50 për qind të votave me kusht, që në zgjedhje të dalim mbi 40 për qind e elektoratit, aq sa është pragu që zgjedhjet të jenë vlefshme.

Zgjedhjet bojkotohen nga partia më e madhe shqiptare, që aktualisht është pjesë e Qeverisë, Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila kërkonte nga VMRO DPMNE-ja që në zgjedhje të dalin me një kandidat konsensual, i pranueshëm, si nga maqedonasit, ashtu edhe nga shqiptarët, por një kërkesë e tillë është refuzuar nga partia e kryeministrit Gruevski.

BDI-ja do të marrë pjesë në fushatë, por me synimin për dështimin e zgjedhjeve.